Maqedoni

240 raportime të rreme për bomba në shkolla, Janev: Shkollat do të udhëzohen si të veprojnë

07.02.2025 15:05

Sërish paralajmërime për bomba në 240 shkolla në mbarë vendin....

240 raportime për bomba në shkolla janë të rreme. Këtë e konfirmuan kontrollet e Ministrisë së Brendshme, ndërsa nxënësit u kthyen në shkolla. Drejtori i Byrosë për Siguri Publike,  Aleksandar Janev, bëri të ditur se ka kontaktuar partnerët nga Interpoli dhe Europoli lidhur me raportimet e rreme për bomba. Thekson se ka gjurmë të caktuara, po për momentin nuk dëshiron të ndajë informacione se nga vijnë kërcënimet. Shkollat, sipas tij, do të marrin udhëzime të qarta se çfarë të bëjnë në të ardhmen, nëse ndodhin ngjarje të tilla.  
 
“Shkollat do të marrin udhëzime të qarta nga sot se çfarë të bëjnë në të ardhmen, nëse ndodhin ngjarje të tilla. Drejtorët e shkollave kanë vepruar në përputhje me protokollet. Policia maqedonase dhe të gjitha organet e rendit kanë demonstruar një luftë të qartë dhe të vendosur kundër të gjitha llojeve të krimit. Nuk kemi kallëzime krimi ku nuk jemi përgjigjur apo marrim masa. Fokusi është sigurimi i qytetarëve nga perspektiva e sigurisë, por edhe nga krimi.”, - deklaroi drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
 
Janevska: Shkollat t’i përdorin emailat zyrtarë
 
Ndërkohë, Ministrja e Arsimit, Janevska, i bëri thirrje mësuesve dhe drejtorëve të shkollave që të përdorin ekskluzivisht adresat zyrtare të emailit të krijuara nga Ministria e Arsimit për komunikim.
 
“Nga informacionet që unë posedoj është se shkollat kërcënimet nuk i marrin në emailet zyrtarë, por në emailet private apo emaile të tjera, që nuk duhet më t’i përdorin.”, - u shpreh ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Janevska rekomandoi që komunat të kenë siguri fizike dhe video mbikëqyrje nëpër shkolla dhe shkollat të jenë më të kujdesshme se kush dhe si hyn në këtë periudhë të ndjeshme. Ministrja u bëri apel prindërve që të ndihen të sigurt, sepse siç tha, ajo  janë ndërmarrë të gjitha masat.
 
FLUTURA LATIFI