Maqedoni
Përfaqësimi i shqiptarëve në institucione, VLEN dhe BDI me akuza të ndërsjella
07.02.2025 15:43
Përplasje midis partive, sa i takon përfaqësimit të shqiptarëve në institucione....

Përplasje midis partive, sa i takon përfaqësimit të shqiptarëve në institucione. Koalicioni VLEN, pretendimet e BDI-së për de-shqiptarizim të institucioneve, i shikon si pjesë të skenarit të integristëve për destabilizime parazgjedhore, për të mos pranuar debaklin zgjedhor. Kërkojnë nga BDI të japë sqarime, pasi konsiderojnë se këto veprime po bëhen në bashkëpunim me ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkov.
“A është e vërtetë se narrativi i tyre për të ashtuquajturin de-shqiptarizim është pjesë përbërëse e këtij skenari. BDI vazhdon që të heshtë. Se sa e izoluar dhe e shkëputur nga realiteti është kjo klikë e BDI-së, e dëshmojnë edhe aktivitetet e djeshme në terren të Blerim Bexhetit dhe Arbër Ademit me Ramiz Merkon, i cili është në listën e zezë amerikane. Kjo BDI jo vetëm që nuk ka kapacitetin programor dhe kadrovik për t’u reformuar, por po përpiqet që të përplasë popullin shqiptar me aleatin tonë më të rëndësishëm ShBA-në, vetëm sepse nuk është në pushtet.”, - deklaroi Fatmir Sabriu nga VLEN.
Integristët për pretendimet e tyre kanë informuar zyrtarisht Bashkimin Evropian, ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë mbi, siç kumtojnë, shqetësimet e thella për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet kyçe të shtetit.
“Vetëm 12% të buxhetit parashikohen për projekte kulturore shqiptare, asnjë shqiptar nuk është në mesin e 10 drejtorëve të drejtorive në Ministrinë e Mbrojtjes, asnjë në mesin e 29 udhëheqësve të njësive brenda ministrisë dhe vetëm 1 mes 12 këshilltarëve kryesorë të ministrisë.”, thonë nga BDI.
Ditë më parë deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, theksoi se në muajt e fundit po zbatohet një politikë diskriminuese, ku shqiptarët po përjashtohen plotësisht nga pozitat kyçe, ndërsa oficerët me përvojë po degradohen.
MERAL ISMAILI
