Maqedoni

Interpelanca për Këshillin Gjyqësor, Mustafa: S'është bazë për dorëheqje

07.02.2025 16:09

Pavarësisht rezultatit të interpelancës Milazim Mustafa, njëri nga antarët e Këshillit Gjyqësor thotë se nuk e ka në plan të dorëhiqet....

Anëtari i Këshillit Gjyqësor i përfshirë në interpelancën, Milazim Mustafa, dorëheqjen e parasheh vetëm nëse i konstatohet shkelje apo lëshim profesional dhe jo pas interpelancës. Ai për TMV2 thekson se situata është krijuar si rezultat i deklaratave jo mirë të analizuara, ndërsa thekson se gjendja në sistemin gjyqësor është e pranishme për më shumë se dy dekada dhe jo vetëm vitet e fundit.
 
“Nuk do ta komentoj situatën paraprakisht. Do të presim, mirëpo do të kisha dhënë dorëheqje në qoftë se do të konstatohen shkelje nga ana ime apo ndonjë lëshim profesional që kam bërë gjatë punës time. Deri sa nuk ka një gjë të tillë, nuk ndjej as përgjegjësi morale e as profesionale për të bërë një hap të tillë. Unë aspak nuk dua të ndërhyj apo të komentoj në lidhje me të drejtat ligjore që kanë deputetët në Kuvendin e RMV-së, por mendoj se e njëjta nuk është rruga  e duhur për të ardhur deri tek zgjidhja e situatës, e cila mbretëron në vendin tonë.”, - deklaroi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa.
 
Interpelanca, Avramovski: Duhej të kishte edhe më herët
 
Nga koalicioni "Të gjithë për gjykim të drejtë" vlerësojnë se interpelanca paraqet një formë presioni ndaj anëtarëve të Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi që të japin dorëheqje, duke pasur parasysh se organi që i ka zgjedhur, në mënyrë publike konstaton se ata më tepër nuk e meritojnë të kryejnë këtë funksion.
 
“Deri më tani veç më duhej të ketë procedurë për interpelancë, megjithatë ajo që shqetëson për momentin është se kemi interpretime se procedura për interpelancë dhe miratimi i saj praktikisht do të nënkuptonte edhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit që janë zgjedhur nga Kuvendi, që për fat të keq nuk është ashtu, sepse edhe përskaj asaj që ka shumë baza për të cilat ata meritojnë t’u ndërpritet mandati i tyre, në këtë moment nuk kemi mundësi juridike se si ajo do të mundej të realizohet.”, - theksoi Darko Avramovski nga koalicioni "Të gjithë për gjykim të drejtë".
 
Edhe pse pushteti bazë për votimin e mosbesimit e merr votimin e raportit negativ për punën e Këshillit Gjyqësor, Mustafa thekson se ky raport përmban 99% të dhëna statistikore dhe nuk është raport për punën e Këshillit Gjyqësor, por për gjyqësorin në tërësi dhe të gjitha gjykatat në vend. Sipas tij, raporti në fjalë është miratuar njëzëri nga Këshilli Gjyqësor dhe jo vetëm nga anëtarët e Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi, për të cilët u ngrit interpelanca. Pas ndodhive me shkarkimin e kryetares, Vesna Dameva, Këshilli Gjyqësor u ballafaqua me kritika të ashpra ndërkombëtare dhe nga vendi, që rezultoi me vizitën e Komisionit Vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor. Këto vlerësime duhet të inkorporohen në ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor.
 
FLORIJE KAMBERI