Maqedoni

Çmimet “e kripura”, vazhdon bojkotimi i marketeve

07.02.2025 17:08

Përsëri bojkot i marketeve, për shkak të çmimeve të larta. Qytetarët...

Përsëri bojkot i marketeve, për shkak të çmimeve të larta. Qytetarët, nën sloganin “E premtja e zezë për marketet”, dërgojnë një mesazh për zinxhirët e mëdhenj tregtarë dhe shprehin pakënaqësinë e tyre për çmimet e ushqimeve. Qytetartët e anketuar të revoltuar nga çmimet e larta shprehen se mbështesin bojkotin. Megjithatë, kanë drojë nëse bojkoti do të sjellë rezultate.
 
“Po, i bojkotojmë. I bojkotojmë se çmimet janë gjithmonë të shtrenjta.”, - tha një qytetar.
 
“Çmimet janë shumë të shtrenjta. Nuk besoj se do të ketë rezultat. Pa marrë masa Qeveria, asgjë nuk bëhet vetëm me bojkot, patjetër edhe Qeveria të marrë masa.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Po, duhet t’i bojkotojmë, sepse çmimet janë shumë të larta dhe njerëzit nuk kanë para. Mendoj që duhet të kemi rezultat se njerëzit janë pa punë, të papunësuar, rinia po ikë jasht.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Kjo më shumë është lojë se sa efekt i sigurt. Duhet të ndërmarrë hapa Qeveria. Çfarë pret prej popullit, populli ka mbetur në margjinë, ka mbetur askund. Patjetër të shkosh në market të blesh bukë, për shembull.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
 
Bojkoti i marketeve tek ne filloi pas nismës në rrjetet sociale, duke ndjekur shembullin e vendeve të rajonit. Bojkoti i parë ishte një javë më herët, më 31 janar, ndërsa sipas Drejtorisë së të Ardhurave Publike, gjatë ditës kur qytetarët bojkotuan blerjen në markete në shenjë revolte, të dhënat treguan se tetë zinxhirët më të mëdhenj të marketeve në vend kanë pasur rënie të qarkullimit të përgjithshëm për 46.59%. 
 
Përndryshe Inspektorati Shtetëror i Tregut vazhdon të jetë në terren dhe deri në fund të kësaj jave duhet të përfundojnë kontrollet gjashtëmujore, që mbulojnë distributorët, furnizuesit, prodhuesit dhe tregtarët. Të hënën pritet që Ministira e Ekonomisë të njoftojë se çfarë masash do të marrë Qeveria për çmimet. 
 
ERSAN PAJAZITI