Vjosa Osmani: Kosova demokracia më e zhvilluar në rajon
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik.
Pas hedhjes së votës, Osmani tha sot është ditë e rëndësishme për Kosovën. “Kosova është demokracia më e zhvilluar në rajonin tonë, duhet ta mbajmë të tillë dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej. Dhe sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm nga i cili determinohet Parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet e tjera, po edhe merren vendimet të cilat kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre dhe për gjithë vendin tonë. Kështu që, shpresoj që të gjithë qytetarët anembanë Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Besoj që i kanë informatat e nevojshme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth vendvotimeve të tyre dhe është mundësi e mirë që qytetarët jo vetëm ta japin vlerësimin për të gjithë politikanët që i kanë përfaqësuar deri tani, por edhe t’ju japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë dhe është me rëndësi që këtë të drejtë pra ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Iu uroj suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje. Shpresoj që e mbara t’i prijë Kosovës vendit tonë të dashur, dhe një ndër mënyrat më të mira për të kontribuuar për Kosovën tonë është pikërisht duke e shfrytëzuar të drejtën në votë”, ka deklaruar Osmani pasi që kreu obligimin e saj për të votuar.
