Projekti i USAID-it në Gostivar, përurohen investimet në Sh. F. “Çajla”
Projekti i USAID-it për Integrimin Ndëretnik në Arsim së bashku me Komunën e Gostivarit shënoi mbarimin e rinovimeve në shkollën fillore në Çajlë të Gostivarit...

Procesi i rinovimit, financiarisht i mbështetur nga ana e Qeverisë së ShBA-ve, nëpërmjet Komandës Evropiane të Ushtrisë Amerikane ka krijuar mjedis më të mirë për mësim për nxënësit.
“Përmes këtij projekti, në shkollën tonë u bë ndërrimi i dyshemeve në të gjitha klasat, rinovimi i tre hapësirave në objektin e vjetër të shkollës dhe adaptimi i tyre për aktivitete të ndryshme mësimore, ndërrimi i disa dyerve, rregullimi i shkallëve në oborrin e shkollës, rafte për libra dhe pajisja me disa materiale të nevojshme shkollore”- deklaroi drejtori i Sh. F. “Çajla”, Xhavari Jashari.
"USAID bashkëpunon ngushtë me qeverinë dhe me bashkësitë lokale si e juaja, me qëllim që të lehtësohet integrimi nderetnik në arsimin publik”- tha shefi i Zyrës së Bashkëpunimit për Mbrojtje-Ambasada e ShBA-ve, Majori Xhefri Van Sikl.
“Kushtet e përmirësuara nga rinovimi i Shkollës Fillore “Çajla” janë vetëm një hap fillestar për të vazhduar së bashku me mësimdhënësit dhe prindërit të edukojmë nxënësit në frymën e bashkëjetesës, në një shoqëri multietnike”- theksoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
PINA iu ka ndihmuar 35 komuniteteve në përpjekjet e tyre për përmirësimin e objekteve shkollore, duke ju ofruar mundësi dhe qasje edhe nxënësve me nevoja të veçanta, dhe është përkushtuar t’ju ndihmojë edhe 13 komuniteteve të tjera vitin e ardhshëm. Projekti është nismë katërvjeçare me vlerë 5,2 milionë dollarë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
