Zgjedhjet lokale dhe kalkulimet, Neziri: Partitë i bashkon pragmatizmi
Edhe pse na ndajnë disa muaj deri në zgjedhjet lokale...

Edhe pse na ndajnë disa muaj deri në zgjedhjet lokale, kalkulimet mes partive për koalicione të mundshme duket se kanë filluar, madje po përzgjedhin edhe kandidatët për garën e të parit të komunës.
Kush me kënd do të bashkëpunojë në zgjedhjet lokale, për analistin politik Xhelal Neziri mund të jenë parti të ndryshme që nuk i bashkon ideologjia por pragmatizmi dhe interesat konkrete të qytetarëve.
“Koalicionet mbietnike sidomos kanë ndodhur në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash ku në komunat me shqiptarët pakicë kanë mbështetur një kandidat të partisë maqedonase dhe e kundërta, ku maqedonasit kanë qenë pakicë, përherë kanë mbështetur kandidat shqiptar dhe pikërisht këto votat e etnive pakicë kanë qenë vendimtare për atë se kush do t’i drejtojë komunat për katër vjet.” – tha analisti politik, Xhelal Neziri.
Bashkëpunimet mes partive dalin në sipërfaqe më së shumti në raundin e dytë të zgjedhjeve, kur gara ngushtohet vetëm për kryetar komune, thotë Neziri.
“Çdo koalicion është i mundshëm, çdo lëvizje është e mundshme, si në taborin e pushtetit poashtu edhe në taborin opozitar dhe e gjithë kjo do të jetë garë interesante, garë e cila më pastaj nuk do të jape vetëm rezultatin se kush do t’i udhëheq komunat në katër vitet e ardhshme por do të jetë edhe një tregues për vetë pozicionin e partive politike në nivel shtetëror.” – u shpreh analisti politik, Xhelal Neziri.
Ndryshe, partnerët e koalicionit qeveritar, VMRO – DPMNE -VLEN, nuk mohojnë planifikim të përbashkët në zgjedhjet lokale të vjeshtës, me proporcionalitet për këshilltarët, ndërsa nuk ka zëra për ndonjë bashkëpunim mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase.
Kjo e fundit ditë më parë ka thënë se me BDI-në kanë përvojë të hidhur, e cila nuk u i inkurajon për bashkëpunim të mëtejshëm politik. (Nermin Mulaki, TVM2)
