Maqedoni
Protestat para qeverisë, BE: autoritetet të mos përdorin forcë të tepruar
06.05.2015 16:28
Pas eskalimit të protestës së një nate më parë, i menjëhershëm është edhe reagimi i BE-së...

Brukseli zyrtar shpreh shqetësim të thellë për protestuesit dhe policët e lënduar dhe ftojnë aktorët politik që të marrin masa urgjente.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, sqaron se BE tani më një kohë më të gjatë me shqetësim të madh përcjell situatën në Maqedoni.
“BE, me shqetësim të thellë i konstaton lëndimet te protestuesit dhe pjesëtarët e forcave të sigurisë në protestat e një dite më parë. Si një parim bazë, komisioni kujton rëndësinë kyçe të lirisë për protesta të qeta dhe lirinë e shprehjes, ashtu siç parashikon Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ato duhet të jenë vlera themelore të demokracisë funksionale”- shprehet zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.
Nga BE bëjnë thirrje që organet e rendit t’i shmangen përdorimit të tepruar të forcës.
“Gjithashtu bëjmë thirrje që të shmanget përdorimi i tepruar i forcës nga ana e autoriteteve. BE-ja gjithashtu iu bën thirrje aktorëve politik që të ndërmarrin veprime urgjente për zgjidhjen e qëndrueshme të krizës aktuale, përmes një angazhimi konstruktiv dhe dialogu politik të rikthehet besimi tek institucionet”- shprehet zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.
Kocijançiç sqaron se BE-ja nuk ka komente rreth rasteve individuale të përgjimeve, mirëpo përkujton se të gjitha pretendimet për shkelje të mundshme duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe transparente nga organet hetuese.
SANIJE KASAMI
