Maqedoni
Protestat-reagon LSDM: urdhrin për të rrahur qytetarët e dha Gruevski
06.05.2015 16:30
LSDM-ja opozitare akuzoi se në protestat e mbrëmshme para qeverisë policia ka tejkaluar kompetencat dhe se për këtë përgjegjësinë duhet ta bart pushteti...

Sipas zëdhënësit të LSDM-së, Petre Shilegov, urdhrin për të rrahun qytetarët e kanë dhënë vetë kryeministri, Nikolla Gruevski, ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe shefi i DSK-së, Mijallkov.
“Strukturat policore, me porosi të Gruevskit, rrahën të rinj, studentë, gra dhe qytetarë të pafajshëm. U arrestuan edhe qytetarë të tjerë, të cilët rrinin ulur qetësisht në rrugë, me duar të ngritura lart. Gjithë ky operacion për përdorim të pamëshirshëm të dhunës ndaj qytetarëve është planifikuar në shtëpinë e Nikolla Gruevskit, ku dje në orët e pasdites kishin arritur edhe Sasho Mijallkov dhe Martin Protugjeri. Më pas, planin e porositur u desh ta realizonte Gordana Jankullovska, e cila nga vendi i ngjarjes, para objektit të qeverisë, komandonte dhunën ndaj qytetarëve të vetë. Nikolla Gruevski zgjodhi rrugën se si do të largohet. Me aksionin e djeshëm brutal, Nikolla Gruevski e zgjodhi rrugën e rrahjes së qytetarëve të tij, duke ndjekur shembujt e diktatorëve, si Millosheviqi, Çauçesku dhe Lukashenko”- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
LSDM-ja akuzoi kryeministrin, Nikolla Gruevski, se me dhunën e ushtruar mbrëmë për së dytë herë tentoi të vriste të vërtetën për vrasjen e Martin Neshkovskit.
Socialdemokratët ftojnë qytetarët që mos të bien pre e provokimeve të pushtetit.
Shilegov sqaroi se protesta nuk ishte organizuar nga LSDM-ja, por nuk mohoi që anëtarë të kësaj partie, në cilësinë e qytetarëve, do të marrin pjesë në çdo protestë kundër qeverisë.
BESIM ABDULLAI
