Botë
Gjermani, faza përmbyllëse e fushatës elektorale
10.02.2025 12:22
Kristiandemokrati, Friedrich Merz, dhe kancelari aktual, Olaf Scholz, shpalosën konceptet e programeve të partive të tyre...

Kristiandemokrati, Friedrich Merz, dhe kancelari aktual, Olaf Scholz, shpalosën konceptet e programeve të partive të tyre, duke u ndalur në temat më të spikatura të fushatës elektorale në Gjermani, si emigracioni, ekonomia, politikat fiskale, klima, reformat sociale dhe politika e jashtme. Në debatin e parë televiziv, Merz e portretizoi Scholcin si një kundërshtar që e kishte çuar Gjermaninë në krizë ekonomike, ndërsa socialdemokrati u paraqit si një lider me përvojë. Scholz deklaroi se Evropa është e përgatitur të përgjigjet “brenda një ore”, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin tarifa kundër Bashkimit Evropian.
“Në mesin e votuesve tanë ka 44 për qind mbështetës të koalicionit të Demokristianëve me Alternativën për Gjermaninë. Do të sqaroj edhe një herë: Ne nuk do ta bëjmë këtë. Për disa çështje jemi disa botë të ndarë.”, - deklaroi kandidati për kancelar (CDU/CSU), Friedrich Merz.
“Si premtimet dhe tabutë, ndryshojnë dhe thyhen. Fatkeqësisht, nuk i besoj më pikëpamjet tuaja. Do të doja, por jo më.”, - theksoi kandidati për kancelar (SDP), Olaf Scholz.
Qeveria e mëparshme socialdemokrate dyfishoi popullaritetin e alternativave, për shkak të pritjes së dy milionë emigrantëve. Gjithnjë e më shumë të rinj po i bashkohen ekstremit të djathtë, për shkak të sulmeve të fundit të kryera nga terroristët myslimanë, emigrantë të indoktrinuar, që kanë çuar në mbylljen e kufijve të Gjermanisë. Presioni ndaj pushtetit dhe opozitës është edhe më i madh, pasi ekonomia është në recesion për gati tre vjet.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në Gjermani. Kemi tre milionë të papunë, numri po rritet. 700 mijë vende vakante nuk mund të plotësohen. Një valë falimentimesh e paparë në 15 vitet e fundit. 50 mijë kompani falimentuan në vend.”, - u shpreh kandidati për kancelar (CDU/CSU), Friedrich Merz.
“Të mos harrojmë se jemi vendi i dytë sipas shkallës së industrializimit në mesin e shtatë vendeve më të zhvilluara në botë.”, - theksoi kandidati për kancelar (SDP), Olaf Scholz.
Ky debat televiziv shënon edhe fazën përmbyllëse të fushatës elektorale. Merz është shumë përpara në sondazhe dhe favorit për t’u bërë kancelar i ardhshëm i Gjermanisë, ku kryeson deri në 34 për qind, ndërsa Scholz renditet në vend të tretë me 18 për qind pas AFD-së.
FITORE DEMOLLI
