Legjionarët, Hoxha dhe Krasniqi shënojnë
10.02.2025 12:34
Futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja vazhdojnë të bëjnë paraqitje pozitive me klubet e tyre...

Futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja vazhdojnë të bëjnë paraqitje pozitive me klubet e tyre, duke kontribuar me gola dhe asiste. Arbër Hoxha ishte një nga lojtarët më të spikatur këtë fundjavë. Sulmuesi i Kombëtares u aktivizua në pjesën e dytë në ndeshjen mes Dinamo Zagreb dhe Šibenik, që përfundoi 3-0. Hoxha shënoi një gol në minutën e 74 të ndeshjes dhe dha një asist, duke ndihmuar ekipin të siguronte fitoren. Mesfushori Bledian Krasniqi shënoi një gol për Zurichun. Por goli i shënuar nga Krasniqi nuk mjaftoi. Skuadra e tij Zurichu humbi nga St. Galleni me rezultatin 2:1, në kuadër të xhiros së 23-të të Superligës zvicerane të futbollit. Krasniqi shënoi golin e epërsisë 1:0 në minutë ne 19-të. Me fitore, St. Galleni u ngrit në vendin e gjashtë me 35 pikë, kurse Zurichu ra në vendin e tetë me 33 pikë.
Berat Gjimshiti vazhdon me paraqitje të mira te Atalanta. Kapiteni i Kombëtares dha një asist në fitoren 0-5 në transfertë ndaj Veronës. Ai shërbeu saktë për Reteguin në minutën e 25-të, i cili realizoi golin e dytë të takimit.
Ermal Krasniqi ka dhënë një tjetër paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen që Sparta e Pragës triumfoi me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Hradec Kralove. Ish sulmuesi I Ballkanit, u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe menjëherë pas 3 minutash, arriti të çojë topin në fund të rrjetës. Në 18 paraqitje këtë sezon në kampionatin çek, Krasniqi ka arritur të realizojë katër gola dhe ka asistuar një herë. (Gazetar: Safet Admei)
