Maqedoni
51 ish deputetë kanë shfrytëzuar apanazh
06.05.2015 16:43
51 deputetë kanë shfrytëzuar të drejtën e apanazhës, ose kanë marrë rrogën e deputetit deri në një vit edhe pas përfundimit të mandatit...

Gjatë këtij vitit, komisioni, me kërkesë nga ish deputetët, ka marrë vendim për ndërprerjen e kësaj të drejte për 17 prej tyre, ndërsa sot, me plotësimin e kushtit për ndërprerjen e apanazhës, në harmoni me ligjin, mori vendim për ndërprerjen e apanazhës edhe për 34 ish deputetët e mbetur, kryesisht nga LSDM, BDI dhe PDSh, të cilët nuk kanë fituar një mandat të ri dhe nuk janë kthyer në vendet e tyre të punës.
“Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, në këtë seancë duhet me vendim të aprovojë ndërprerjen e të drejtës për rrogë pas përfundimit të mandatit të deputetit për 34 ish deputetët e tjerë, të cilën në periudhë prej një viti e realizojnë këtë të drejtë”- deklaroi kryetari i Komisionit të Mandateve, Zoran Ilioski.
Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Sasho Vasilevskit, ish deputetë qëllimisht e shterin gjithë buxhetin, duke e shfrytëzuar këtë të drejtë në maksimum. Ai ftoi deputetët e opozitës, në përbërjen e re që të fillojnë punën në parlament dhe të arsyetojnë pagën që marrin.
“Qëllimisht e kanë bërë këtë shterje të buxhetit deri në fund, me shfrytëzimin e apanazhës. Vlerësoj se edhe deputetët e tjerë, që janë në opozitë dhe që luftojnë për të drejtën e demokracisë, por që protestojnë në rrugë, që rrogat që i realizojnë në bazë të marrëdhënieve të punës në Parlamentin e RM-së, ta realizojnë plotësisht me participim si parlamentarë aktiv në Kuvendin e RM-së”- tha anëtari, Sasho Vasilevski.
Nga legjislacioni 2011-2014, vetëm 24 deputetë janë kthyer në vendet e tyre të punës një muaj pasi u ka përfunduar mandati.
SHPËTIM NUREDINI
