Maqedoni
Reformat në gjyqësi, Caleva në krye të Prokurorisë së Lartë
10.02.2025 14:41
Natasha Kërstevska Caleva do të udhëheqë me Prokurorinë e Lartë në Shkup...

Natasha Kërstevska Caleva do të udhëheqë me Prokurorinë e Lartë në Shkup derisa të përfundojë procedura penale kundër Mustafa Hajrullahit. Këshilli i Prokurorëve njëzëri votoi që ajo të marrë “timonin” e kësaj prokurorie dhe përkohësisht të ushtrojë këtë funksion, teksa paraprakisht vlerësuan se ajo është e denjë, e aftë dhe një ndër më të mirat në mesin e prokurorëve dhe ka treguar rezultate cilësore në të kaluarën.
“Anëtarët e Këshillit të Prokurorëve vlerësojnë se bëhet fjalë për një prokurore publike, e cila është profesioniste në punën e saj. Deri më tani nuk ka pasur asnjë vërejtje ndaj punës së saj, pra është prokurore me integritet dhe vlerësojmë se аjo në mënyrë të suksesshme mund të kryejë këtë detyrë që i është dhënë.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska.
Dimitrievska nuk komenton interpelancën
Propozimin që Kërstevska Caleva të marrë këtë pozitë e bëri paraprakisht kryeprokurori, Ljupço Kocevski. Dimitrievska nuk dëshiron të komentojë aspak procedurën e hapur ndaj Hajrullahit, ndërsa tregohet shumë e rezervuar edhe për interpelancën e paralajmëruar ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, nëse hipotetikisht, interpelancë e tillë hapet edhe ndaj anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve. Çfarë do të kishte ndodhur me anëtarët e këtyre këshillave, në rast se votohen interpelancat e tilla? A janë të obliguar të deponojnë dorëheqje dhe a do të kishin bërë një gjë të tillë anëtarët e këtyre këshillave apo jo, Dimitrievska me përgjigje:
“Nuk do të mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, pasi që nuk është në kuadër të punës së Këshillit të Prokurorëve. Nëse do të kishim pasur situatë të tillë, ndoshta anëtarët e Këshillit do ta mendonin. Në këto momente kaq kam për të thënë dhe nuk do të doja të përgjigjem më shumë se kaq.”, - theksoi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrievska.
Taravari: Reformat, të domosdoshme
Por, kështu nuk mendojnë nga koalicioni VLEN. Një nga liderët e saj, Arben Taravari, vlerëson se reforma rrënjësore në gjyqësor janë të domosdoshme, përderisa besueshmëria në organet e drejtësisë është rreth 2 për qind, thotë ai.
“Përderisa ke besueshmëri në gjykata 2, 3 për qind, nënkuptohet se ne kemi nevojë për reforma në Gjykatë dhe Prokurori. Pa i bërë ndryshimet në Këshillin e Gjykatave dhe Prokurorisë, nuk mund të bëhen. Është e domosdoshme nëse duam reforma, ndërsa nëse dëshirojmë status kuo, atëherë rrimë kështu.”, - u shpreh Arben Taravari nga koalicioni VLEN.
VMRO - DPMNE, koalicioni VLEN dhe partia “E di” para ca kohe dorëzuan interpelancë për punën e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të zgjedhur nga Kuvendi. Ata kërkuan mbështetje nga të gjitha partitë opozitare që të kalojë kjo interpelancë. Çështja e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor u hap si debat, pasi që në dhjetor Kuvendi nuk e votoi raportin për punën e Këshillit Gjyqësor për 2023. Si për rastin e Këshillit Gjyqësor apo atë të Prokurorëve, vazhdimisht janë bërë thirrje për shpërndarjen e plotë të tyre dhe për miratimin e ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor.
REXHEP QAMILI
