Botë

Tiranë, u arrestua kryebashkiaku, Erion Veliaj

10.02.2025 15:03

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua mesditën e sotme....

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua mesditën e sotme. Pamjet tregojnë momentin kur punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit e shoqërojnë për në Policinë e kryeqytetit, ndërsa mësohet se për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, është kërkuar masa e arrestit në shtëpi. Ende nuk ka shumë detaje mbi këtë arrestim, ndërsa më 26 dhjetor 2024, Veliaj u pyet për rreth 5 orë në SPAK në kuadër të hetimit pasuror që po kryen prokurori, Ols Dado.
 
Ndërkohë, ai ishte pyetur edhe më parë më 30 prill për rreth 8 orë, në të njëjtën ditë që Prokuroria e Posaçme i sekuestroi telefonin bashkëshortes së tij.
 
Në një njoftim të para pak muajve, SPAK-u bëri me dije se nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, që lidhen me veprën penale të korrupsionit, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
 
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015 dhe ka qenë më herët edhe deputet dhe ministër. Hetimet, të drejtuara nga prokurorët, Altin Dumani dhe Ols Dado, përqendrohen në dyshime të arsyeshme se kryebashkiaku ka konsumuar elemente të veprës penale, duke përfituar në mënyrë të tërthortë përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij dhe biznesmenin Elman Abule.
 
LULJETA NDOKA