Botë
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kryeministri Kurti kryeson me mbi 41% të votave
10.02.2025 15:19
Lëvizja “Vetëvendosja” kryeson listën e partive fituese në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë...

Lëvizja “Vetëvendosja” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryeson listën e partive fituese në zgjedhjet parlamentare të së dielës në Kosovë me mbi 41% të votave. Mbi 93% e votave të numëruara në KQZ rendisin PDK-në të dytën në këtë garë zgjedhore me 22.46% të votave të akumuluara. Vijon LDK-ja me 17.66%, AAK-ja me 7.51%, Lista Serbe me 3.88% dhe Koalicioni për Familjen 2.29%. 22 parti të tjera të komuniteteve më të vogla në Kosovë nuk kanë arritur të kalojnë as pragun e 1%-it. E përkthyer në vota, Vetëvendosja e kryeministrit Kurti ka thithur 322 mijë vota, PDK – 176.570 vota, LDK – 138.833, AAK - 59 mijë vota, ndërkaq Lista Serbe mbi 30 mijë vota. Vetëvendosja, që shpalli fitoren, paralajmëruan krijimin e Qeverisë Kurti 3.
“Koalicioni ynë fitues do ta formojë Qeverinë e re Kurti 3 dhe në këtë mënyrë do t’i vazhdojmë edhe punët e nisura. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar rezistencën e tyre kundër një lufte të paparë hibride, që është bërë kundër koalicionit tonë. Ka pasur premtime edhe irracionale. Përkundër kësaj, Vetëvendosja fitoi dhe ne jemi subjekti fitues që do ta formojë Qeverinë e ardhshme.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosja”, Albin Kurti.
PDK-ja e Memli Krasniqit, edhe pse e dyta në garën zgjedhore ka shprehur mirënjohje për rezultatin e arritur, pasi shënojnë rritje elektorale. Me përfundimin e numërimit të votave do të dalin me qëndrim për përfshirjen eventuale në Qeveri.
“PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota. Falënderojmë qytetarët që votuan për PDK-në. Ky është sukses i pamohueshëm dhe mesazh i fortë për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj Qeverie, pasi nuk e kanë shumicën. Rezultatet tregojnë se qytetarët kërkojnë Qeveri të re.”, - theksoi zëdhënësi i fushatës së PDK-së, Blerand Stavileci.
LDK-ja në krye me Lumir Abdixhikun, gjithashtu mbetet në opozitë pas rezultatit të arritur. Përgjegjësinë e shohin tek vetja.
“Përgjegjësinë për këtë rezultat e marr në tërësi unë, edhe për fushatën, edhe për drejtimin e partisë dhe për këtë i jap llogari vetëm LDK-së dhe qytetarëve që kanë votuar për LDK-në.”, - u shpreh kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Jashtë kombinatorikave të Qeverisë Kurti mbetet edhe partia AAK e Ramush Haradinajt.
“E pranoj se rezultati nuk është i mirë, nuk jam i kënaqur më këtë rezultat. Gjithsesi që do të reflektojmë pas këtij rezultati. Ne do ta vazhdojmë këtë rrugëtim. Kisha pasur dëshirë që Kosova të ketë një rezultat më të mirë të opozitës. Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra Qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me VV-në.”, - u shpreh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ndërkaq kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, për humbjen në zgjedhje ka shkruar:
“Më vjen keq që humbëm një mundësi të rëndësishme për t’i dalë në mbështetje familjes, dinjitetit dhe traditës sonë, vlera këto që mbrohen edhe nga shoqëritë më demokratike në botë.”.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 40.6 për qind e votuesve morën pjesë në zgjedhjet e së dielës, 7 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2021. Njëzet nga 120 vendet në Parlamentin e Kosovës u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb. Nëse Lëvizja “Vetëvendosje” nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare, do ta ketë të vështirë të formojë Qeverinë me deputetët e pakicave. Pasi të jenë shteruar përpjekjet e Lëvizjes “Vetëvendosje”, mandati mund t’i kalojë opozitës. Qeveria e re e Kosovës do të jetë përballë sfidave ekonomike, shoqërore e sociale, ndërkaq në planin e jashtëm do të duhet të përmirësojë marrëdhëniet me fuqitë perëndimore, si dhe të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
MERAL ISMAILI
