Maqedoni
Kërcënimet hibride, Andonovski: Kërcënime hibride do të ketë, punohet për përcaktimin e arsyeve të tyre
10.02.2025 16:06
Kërcënime hibride janë mesazhet paralajmëruese për mjete shpërthyese të vendosura...

Kërcënime hibride janë mesazhet paralajmëruese për mjete shpërthyese të vendosura, që shkollat i kanë marrë në adresat e tyre elektronike, të premten. Këtë e bëri të ditur ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, duke shtuar se Ministria e Brendshme dhe e Arsimit, si dhe komunat, kanë vepruar siç duhet dhe pasojat janë zgjidhur. Sipas tij, tani po punohet për përcaktimin e arsyeve, se përse kanë ndodhur kërcënimet.
“Do të ketë sulme hibride, sulmet ndaj infrastrukturës sonë kibernetike do të vazhdojnë, por është shumë e rëndësishme se si reagojnë institucionet dhe tani po reagojnë sistematikisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe jemi në dispozicion për ta ndihmuar MASh-in dhe institucionet tjera, nëse paraqitet problem i tillë.”, - deklaroi ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski.
Më shumë se 240 raporte për vendosjen e bombave, të premten arritën në shkollat në vend. MPB-ja pas kontrolleve të sigurisë tha se të gjitha raportimet ishin të rreme. Edhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, tha se po hetohet qëllimi dhe historia e raporteve të rreme dhe shtoi se në këtë drejtim po bëhet bashkëpunim me partnerët nga Interpoli dhe Europoli. Sipas deklaratës së tij, MPB-ja do të marrë të gjitha masat parandaluese dhe represive, nëse është e nevojshme dhe do të zbulojë se përse po bëhen raportime të tilla të rreme.
ARMEND MURSELI
