Botë

Greqia, ende pranë falimentimit, Athina i paguan 200 milionëshin e parë FMN-së

06.05.2015 17:16

Greqia i ka paguar FMN-së këstin e parë për këtë muaj të interesave prej 200 milionë eurosh...

Greqia i ka paguar FMN-së këstin e parë për këtë muaj të interesave prej 200 milionë eurosh, ndërsa rriten zërat se ajo nuk do të jetë në gjendje të paguaj këstin e dytë prej 763 milionë euro të tjera, më 12 maj.
 
Por, arka shtetërore greke nuk disponon shuma të tilla parash dhe shpresa qëndron vetëm te vendimet e BQE-së për heqjen e kufizimeve që ka vendosur në lidhje me financimin e sistemit kreditues grek, ose në faktin që të dy palët të bien dakord për finalizimin e angazhimeve për reformat strukturore, që do të garantojnë disbursimin e disa miliardë eurove, duke larguar në këtë mënyrë Greqinë nga mundësia e falimentimit. 
 
Edhe parashikimet e reja të Komisionit Evropian për ekonominë greke janë dëshpëruese.
 
Ritmi i zhvillimit, sipas Brukselit, do të jetë rreth 0.5%, nga 2.5% që ishte parashikimi për këtë vit, ndërsa papunësia mbetet ende në shifrat 25.5%.
 
Edhe vlerësimet më optimiste theksojnë se mbledhja e Eurogrupit, të hënën e ardhshme, nuk do të sjellë dy palët më pranë marrëveshjes, ndërkohë që edhe Athina, por edhe partnerët e saj e dinë mirë se nuk ka më kohë dhe se çdo vonesë çon drejt asaj, që grekët të parët duhet t’i shmangen, falimentimit të vendit. 
 
MERAL ISMAILI