Botë
Trump kërcënon Hamasin, pengjet të kthehen deri të shtunën
11.02.2025 15:42
Trump i ka bërë thirrje Hamasit që deri të shtunën në mesditë të lirojë të gjitha pengjet...

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Hamasin, duke i bërë thirrje që deri të shtunën në mesditë të lirojë të gjitha pengjet, përndryshe siç tha, do të shpërthejë ferri.
“Nëse të gjithë pengjet nuk kthehen deri të shtunën në orën 12:00, mendoj se është koha e duhur – do të thosha që armëpushimi të anulohet dhe le të shpërthejë ferri... Dhe mendoj se nuk do ta bëjnë këtë. Besoj se shumë prej pengjeve janë tashmë të vdekur. Të shtunën në mesditë, duam të gjithë pengjet të kthehen.”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Edhe ministri izraelit i mbrojtjes urdhëroi ushtrinë të jetë në gatishmëri të plotë në enklavën palestineze. Kryeministri Netanjahu konfirmoi angazhimin e qeverisë për të çrrënjosur grupin militant.
“Ne kemi qëndrime të njëjta me administratën amerikane për çështjet thelbësore që janë në agjendën e Lindjes së Mesme – përmbushjen e të gjitha objektivave të luftës. Kjo përfshin eliminimin e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve tanë në shtëpi dhe sigurimin që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për qytetarët tanë në veri dhe jug, duke garantuar sigurinë e komuniteteve të tyre.”, tha kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu.
Nga ana tjetër, palestinezët ndihen të frikësuar për të ardhmen e tyre.
“Njerëzit kanë frikë. Sot filluan të bëjnë rezerva nga frika se lufta do të kthehet përsëri. Nuk ka siguri, sepse çdo dështim i marrëveshjes e rikthen luftën.”, u shpreh një banor i Khan Younis.
“Kemi frikë nga deklaratat se mund të shpërthejë një luftë më e rëndë se ajo e mëparshme. Morëm frymë lirisht kur përfundoi lufta me marrëveshjen, dhe njerëzit filluan të kthehen në shtëpitë e tyre.”, tha një banor i Khan Younis.
Presidenti amerikan Trump ka propozuar planin e tij për Gaza-n. Plani është që SHBA të marrë nën kontroll territorin dhe ta rindërtojë, duke ofruar strehim për palestinezët jashtë Gazës, me kushte më të mira. Ai ka theksuar se palestinezët nuk do të kenë të drejtë të kthehen në Gaza pas rindërtimit. Hamasi dhe Izraeli kanë shkëmbyer pengje dhe të burgosur palestinezë që nga 19 janari, si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes për armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA, Katari dhe Egjipti.
ARMEND MURSELI
