Maqedoni
Qeveria shpall thirrjen e dytë, ndihmë për projekte nëpër komuna
12.02.2025 14:37
Është shpallur thirrja e dytë publike, e cila u mundëson komunave të aplikojnë për mjete financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore...

Është shpallur thirrja e dytë publike, e cila u mundëson komunave të aplikojnë për mjete financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore. Të gjitha komunat mund të aplikojnë për të marrë deri në 15 miliardë denarë për projekte në fushën e kulturës, sportit, mjedisit jetësor, infrastrukturës rrugore, politikës sociale dhe arsimit. Formularët e aplikimit duhet të dorëzohen në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe dokumentacioni i projektit në ministritë përkatëse më së voni deri më 30 prill, tha në një konferencë për media në Qeveri, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski.
“Risia është vazhdimi i afatit për aplikimin deri më 30 prill, ndërsa rrethanë lehtësuese ka edhe në pjesën e sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm, e cila është e domosdoshme për fillimin e furnizimit publik. Kjo është me qëllim që t’u ndihmohet komunave dhe t’u jepet hapësirë që ta sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm derisa zgjat procedura. Këto janë dy risi të reja të kërkesave të kryetarëve.”, u shpreh Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski.
Kjo thirrje e dytë publike, sipas Perinskit, është vazhdimësi e thirrjes së parë publike e cila, siç tha ai, tashmë po jep rezultate në terren. Interesimi më i madh në thirrjen e parë ishte për realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore. Ai pret që mjetet e planifikuara të përdoren për shkak se komunat kanë probleme me infrastrukturën.
“Nga përvoja e thirrjes së parë publike, interesi më i madh nga vetëqeverisjet lokale ka qenë në pjesën e përmirësimit të investimeve, në pjesën e infrastrukturës rrugore dhe nga 288 projkete, 225 ishin të drejtuara tek Ministria për Transport. E dyta sipas interesit është Ministria e Mjedisit Jetësor me 40 projekte të cilat kanë të bëjnë me infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit. Me thirrjen e parë publike vetëqeverisjet lokale ishin të kufizuara në sigurimin e lejeve për ndërtim, dhe këtë e lehtësuam në thirrjen e dytë sepse e ndryshuam ligjin për rregullimin e hapësirave ndërtimore.”, tha Perinski.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Perinski tha se kjo thirrje publike është krijuar në përputhje me kërkesat e kryetarëve të komunave mund të aplikojnë të gjithë, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike.
BELINDA KOKA ADEMI
