Rajon
Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Integriteti i votës nuk është cënuar
12.02.2025 14:48
Pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike të KQZ-së...

Pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike të KQZ-së, integriteti i votës nuk është cënuar dhe rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre, kanë deklaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka sqaruar se pse numri i qytetarëve që shfrytëzuan të drejtën e votës që është publikuar në veb faqen e KQZ-së, është më i vogël se sa numri i votave që rezulton të kenë marr partitë politike.
“Arsyeja pse ndodh kjo është se te rezultatet preliminare të pjesëmarrje së qytetarëve në votime, janë ngarkuar më pak të dhëna nga vendvotimet, ndërkaq te rezultatet preliminare për subjektet politike janë ngarkuar më shumë se 99% e tyre, ndërkaq tek rezultatet për pjesëmarrje në votime të dhënat janë ngarkuar nga 92% e vendvotimeve, prandaj këtu bëhet diferenca.”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Nga KQZ po ashtu sqarojnë se prej të martën ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike. Po ashtu po bëhen përgatitjet për numërimin e votave të diasporës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Sipas KQZ-së numri i votave në përfaqësitë diplomatike të Kosovës është 15 mijë e 352, ndërsa nëpërmjet postës në shtete të ndryshme janë pranuar 68 mijë e 712 pako me fletëvotime. Sipas rezultateve të para të publikuara nga KQZ, pa votat me kusht dhe votat e diasporës, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 40.81 për qind të votave, PDK 22.16 për qind, LDK 17.60 për qind dhe Koalicioni mes AAK-NISMA, ka fituar 7.46 për qind të votave.
GYLTENE SINANI
