Maqedoni
Kuvend, pyetje të opozitës për përfaqësimin e drejtë, takim të premten
12.02.2025 15:04
Qeveria me llogaridhënie ndaj opozitës parlamentare në sferën e përfaqësimit institucional të shqiptarëve...

Qeveria me llogaridhënie ndaj opozitës parlamentare në sferën e përfaqësimit institucional të shqiptarëve, ekonomisë dhe shëndetësisë. Nga Fronti Europian thanë se qeveria nuk po ofron asnjë alternativë me heqjen e balancuesit.
“Nuk e kuptojmë përse pas tetëmbëdhjetë të enjteve ende nuk kemi parë asnjë draft të dokumentit, asnjë përpjekje të hapur për të vënë atë në debat publik që ju e premtuat vetë me gojën tuaj.”, tha Dijana Toska nga Fronti Europian.
Arben Fetai zëvendës kryeministër për qeverisje të mirë, pasi numëroi institucionet me zero shqiptarë, si dhe abuzimet në kurriz të shqiptarëve, tha se kjo është meritë e ish pushtetit. Nënvizoi se të premten do të diskutohet për projekt ligjin.
“Jemi duke punuar intensivisht. Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të finalizohet shumë shpejt. Takimin e radhës e kemi këtë të premte dhe shumë shpejtë zgjidhja do ti paraqitet publikut.”, tha zv/kryeministri për Politika të Sundimit të Mirë, Arben Fetai.
Kritika për shëndetësinë dhe çmimet
Sikurse Fronti por edhe socialdemokratët kritikuan ministrin e ekonomisë Besar Durmishi për mungesë të masave efektive për stabilizimin e çmimeve. Ministri ishte premtues në përmirësimin e situatës.
“Inspektorati Shtetëror i Tregut me Komisionin për Mbrojtjen e Konsumatorëve kanë bërë memorandum bashkëpunimi dhe janë duke e përfunduar kontrollin e tyre. Kanë ngelur edhe te disa prodhues. Shumë shpejt do të sjellim vendim të qeverisë me çrrastë do t’iu dalim në ndihmë qytetarëve.”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
“Edhe masën e fundit që po paraqisni, e cila është e vonuar s’do të jep asnjë rezultat. Zgjidhja e vetme në një situatë të tillë është heqja e TVSH-së për produktet ushqimore dhe rritja e pagës minimale në minimum 30 mijë denarë.”, tha deputeti I LSDM-së Borçe Cvetkov.
Në fokus të PRSD-së ishte onkologjia, mortaliteti në pediatri dhe shqetësimet për shterje të ilaçeve për personat me hemofili. Kërkuan dorëheqjen e Taravarit, I cili u arsyetua se lëshimet në klinika janë pasojë e ish pushtetit.
“Kjo katastrofë humanitare në onkologji dhe për golgotën në të cilën kalojnë pacientët do të duhet të ketë përgjegjësi politike. A konsideroni se ju jeni përgjegjës? Unë konsideroj se duhet të jepni dorëheqje.”, tha Sonja Mirakovska, deputete e PRSD-së.
“Kur më kritikoni vetëm kujtoni spitalin modular në Tetovë dhe onkologjinë. Kjo ishte katastrofë humanitare që njerëzve t’iu shkruash ilaçe ndërkaq t’iu japësh vitamina dhe ujë. Unë do të jepja dorëheqje vetëm nëse më ndodhnin gjëra të tilla.”, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Deputeti Sali Murati riktheu në vëmendje vizitën e kryetarit të Republikës Serbe Millorad Dodik, si figurë kontroverse për destabilizim e Ballkanit. Por ministri për marrëdhënie midis bashkësive Ivan Stoillkoviç ardhja e Dodik e cilësoi si të zakontë, të realizuara dhjetë vitet e fundit.
MERAL ISMAILI
