Maqedoni
Gjykata konfirmon Selën kryetar të ASH-së, Sela: Ash rikthehet te themeluesit e vet
12.02.2025 15:15
Gjykata e Tetovës ka konfirmuar se vulat i takojnë përfundimisht krahut të Ziadin Selës....

Gjykata Themelore në Tetovë ka marrë vendim që Aleanca për Shqiptarët ti takojë Ziadin Selës. Në vendimin e gjykatës thuhet se pranohet kërkesa për ndërrimin e kryetarit të partisë, respektivisht nga Arben Taravari, te Ziadin Sela. Sipas këtij vendimi, vulat e partisë kalojnë te Ziadin Sela. Vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës e ka përshëndetur vet Ziadin Sela, i cili tha se Aleanca për Shqiptarët po rikthehet te themeluesit e vet.
“Qartësimi i kësaj situate dhe i përkatësisë se kujt i takon ASh, kalon në dimensionin edhe të qartësimit të rrëmujës dhe kaosit politik të krijuar brenda këtij viti. Një Aleancë për Shqiptarët qartazi e definuar në përcaktimet programore të saj, qartazi në rrugën dhe konsistencën e saj politike, një ASh në trungun e vet, te themeluesit e saj, natyrisht që është në të mirën e gjithë shqiptarëve, dhe është në të mirën e gjithë qytetarëve.”, tha kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.
Ramadani: Vendim i padrejtë, do ta ankimojmë
Nga ana tjetër krahu i Arben Taravarit nuk e pranon këtë vendim të Gjykatës Themelore të Tetovës dhe paralajmërojnë se vendimin do ta ankimojnë në Gjykatën e Apelit. Sekretar i Përgjitshëm i Aleancës për Shqiptarët të krahut të Taravarit, Blerant Ramadani është shprehur se vendimi i fundit I Gjykatës Themelore të Tetovës është i bazuar në interpretime të njëanshme dhe të shtrembëruara të provave dhe nuk pasqyron realitetin e procesit demokratik.
“Arben Taravari është dhe do të mbetet kryetari legjitim i Aleancës për Shqiptarët, një fakt i pamohueshëm dhe i mbështetur nga shumica absolute e anëtarëve të partisë sonë. Ne kemi besim të plotë te drejtësia dhe te Gjykata e Apelit si instanca e fundit gjyqësore për këtë çështje. Jemi të bindur se ky institucion do të respektojë ligjin, të vërtetën dhe vullnetin e anëtarësisë sonë duke vulosur përfundimisht të drejtën e Arben Taravarit si udhëheqës legjitim i Aleancës për Shqiptarët.”, është shprehur Ramadani.
Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore të Tetovës, krahu i Taravarit ka të drejtë në afat kohor prej 15 ditëve që ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit. Përndryshe, përçarjet brenda Aleancës për Shqiptarët ndodhën në fillim të vitit 2024, pasi Taravari, dërgoi një mesazh se partia do të garonte në zgjedhje me bllokun opozitar që në atë kohë përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike.
ERSAN PAJAZITI
