Rajon

Tiranë, Gjykata nis seancën për masën e sigurisë

12.02.2025 15:32

Në Gjykatën e Posaçme në Tiranë ka nisur seanca për masën e sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, bashkëshorten e tij dhe 6 biznesmenë....

Që prej orës 13.30, në Gjkykata e Posaçme shqiptare ka nisur seanca për masën e sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, bashkëshorten Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenë. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Prokurorë të dosjes janë Ols Dado dhe Altin Dumani, ndërsa gjyqtar Erion Bani. 
 
Kryeministri Edi Rama intensifikoi sulmet ndaj SPAK-ut se po i bën Veliajt gjyq pa prova dhe gjyqtarin se është njeri i Berishës.
 
“Të thuash 800 mijë euro blerje online për bizhu dhe fustan ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustan e nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në dhomë paraburgimi duhet të tregosh minimalisht fustanet dhe bizhutë, provat Mediat të bëjnë hulumtim për provat. Në atë roman 400 faqe nuk ka prova, ka vetëm një tregim shumë të ngarkuar dhe të ndërlikuar me gjithë farëlloj personazhesh shkak pasojë, por nuk ka prova.”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
SPAK akuzon edhe kryetaren e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka se ka penguar zbulimin e së vërtetës në favor të Ajola Xoxës.
 
“Janë detyruar shumë persona të deklarojnë edhe kundër vetes, të dëshmojnë nën presion. Tani që dosja është publike, tani nuk është më aludim. Janë dyshime për tëe krijuar prova për ta hequr nga detyra. Problematikat e kësaj çështje nuk janë të izoluara, janë vënë në dukje edhe më parë. Edhe te Ligjet edhe në Komisione dhe me faktorin ndërkombëtar, janë shprehur shqetësime, ku ka pasur edhe rekomandime konstruktive për standardet.”, tha kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.
 
Berisha reagoi sërish se Rama mbron vjedhjet e Veliajt dhe të bashkëshortes së tij. SPAK thotë se Veliaj ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek biznesmenët  dhe më pas fondet publike kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, të kontrolluara nga gruaja e tij.
 
LULJETA NDOKA