Trump e telefonoi Putinin, pajtohen të nisin negociatat për paqe në Ukrainë
Presidenti amerikan Donald Trump....

Presidenti amerikan Donald Trump, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presindentin rus Vlladimir Putin, të cilën e vlerësoi si “të gjatë dhe shumë produktive”, pasi kanë rënë dakord që ekipet e tyre të “fillojnë menjëherë negociatat” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë edhe vizitat në vendet e njëri-tjetrit. Gjithashtu, ramë dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat”, ka shkruar Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social, duke shtuar se ishte gati të telefononte presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, “për ta informuar mbi bisedën”.
Trump shtoi se ai dhe Putini “duan të ndalojnë miliona vdekje që po ndodhin në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”.
Ndërkohë Kremlini tha se Rusia është e gatshme të presë zyrtarë amerikanë për bisedime mbi Ukrainën. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Trump “shprehu mbështetje për një ndalim të menjëhershëm të armiqësive dhe për zgjidhjen e çështjes përmes mjeteve paqësore”.
“Presidenti Putin, nga ana e tij, përmendi nevojën për të eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit dhe u pajtua me Trumpin se një zgjidhje afatgjatë mund të arrihet përmes negociatave paqësore”, tha Peskov duke shtuar se Putin e ftoi homologun amerikan Trump ta vizitojë Moskën. (Rexhep Qamili, TVM2)
