Maqedoni
Reformat në arsimin e mesëm, Janevska: Debati publik ende vijon
13.02.2025 14:22
Debati publik për konceptin e reformave në arsimin e mesëm ende vijon....

Debati publik për konceptin e reformave në arsimin e mesëm ende vijon. Këtë e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke shtuar se është mbyllur vetëm debati që është zhvilluar përmes sistemit informativ ENER. Sipas saj, programet mësimore do të ndryshojnë edhe për arsimin e mesëm. Duke filluar nga shtatori nxënësit do të kenë tekste të reja për shkollën e mesme.
“Do të kemi përafërsisht një vit që konceptin ta zhvillojmë ashtu siç duhet dhe të jetë në përputhje me programet e Bashkimit Evropian në mënyrë që gjimnazistët tanë, të cilët do të vazhdojnë shkollimin këtu, e disa prej tyre edhe jashtë vendit, të përgatiten në nivelin e duhur për shkollim të mëtejshëm.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Sa i përket arsimit fillor ka pasur disa propozime të cilat, sipas Janevskës kanë të bëjnë me rritjen e numrit të orëve për çdo lëndë dhe plotësimin e mësimit me lëndë të reja. Sipas saj, kjo nuk është e mundur, sepse nëse do të zbatohej, fëmijët do të duhej të kalonin të paktën 10 deri në 11 orë në shkollë.
“Kur bëmë orarin sipas kërkesave të shoqatave, mësuesve, rezultoi se nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën duhet të jenë në shkollë të paktën 10 deri në 11 orë çdo vit, në mënyrë që të mos ketë konfuzion. Kjo nuk është e mundur. Të gjitha këto do të duhet të analizohen, të kombinohen, po, fëmijët tanë duhet të jenë më gjatë në shkollë, këtë e propozon Qeveria si projekt, por ata nuk mund të jenë në shkollë 11 orë në ditë. Duhet të kenë aktivitete të tjera, të kenë një shfaqje teatrale, të kenë një kor, të kenë art dhe muzikë, sepse përmes tyre mësohet shumë.”, tha Janevska.
Janevska bëri të ditur se është inkorporuar mësimi me një turn në 141 shkolla anembanë vendit ,proces ky që po zhvillohet paralelisht me projektin për optimizmin e rrjetit të shkollave, gjegjësisht numri i vogël i nxënësve që janë të izoluar në shkollat rajonale do të transferohen në shkollat qendrore. Për këtë po planifikohet zgjerimi i klasave dhe ndërtimi i objekteve të reja shkollore, në disa komuna si Çairi, Aerodromi, Kisella Voda.
FLUTURA LATIFI
