BDI, integristët nisin reformën e brendshme

13.02.2025 16:39

Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim njofton për nisjen e procesit të gjithanshëm të reformave dhe vetingut brenda partisë, të udhëhequr nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti, dhe kryesia e partisë.

Sipas njoftimit të partisë, kjo nismë synon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies brenda radhëve të saj.

Deputetët e BDI-së i janë nënshtruar një vlerësimi të rrezikut të korrupsionit dhe kanë nënshkruar Kodin e Praktikës së Mirë dhe Integritetit të BDI-së, i cili përputhet me Kodin e Praktikës së Mirë në Fushën e Partive Politike, thonë nga BDI.

“BDI është e vendosur të zgjerojë këtë proces të vetingut përtej nivelit parlamentar, duke synuar të gjithë zyrtarët e nivelit të lartë të partisë, anëtarët e Kryesisë së BDI-së dhe kryesinë lokale të degës së partisë. Ky plan strategjik veprimi synon jo vetëm të përforcojë qëndrimin e partisë kundër korrupsionit, por edhe të nxisë një kulturë integriteti brenda proceseve politike. Duke udhëhequr me këto reforma, BDI krijon një precedent për të ndjekur partitë e tjera politike. Kjo nismë ripohon përkushtimin e BDI-së për sundimin e ligjit dhe tregon përkushtimin e partisë për të trajtuar korrupsionin në rrënjët e tij,” - thuhet në komunikatën e partisë.

Por më herët njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Taravari ka nënvizuar disa arsye sikurse keqpërdorimi i fuqisë politike dhe pasurimi i jashtligjshëm.

Thirrjeve për ndryshime brenda BDI-së i’u është bashkangjitur edhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. (Meral Ismaili, TVM2)