Konflikti ruso-ukrainas, Trump nis bisedimet e paqes për Ukrainën
Pothuajse tre vjet pas luftës...

Pothuajse tre vjet pas luftës, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi fillimin e menjëhershëm të negociatave të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, pas një bisede me presidentin rus Vladimir Putin.
Është caktuar një ekip negociator, i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Ëalz. Pas bisedës me Putinin, Trump zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin ukrainas Ëolodymyr Zelensky.
“Ne patëm një telefonatë të shkëlqyer dhe zgjati një kohë të gjatë, mbi një orë. Pas kësaj pata gjithashtu një telefonatë shumë të mirë me Presidentin Zelensky. Unë mendoj se ne jemi në rrugën tonë për të arritur paqen. Mendoj se Presidenti Putin dëshiron paqen, presidenti Zelensky dëshiron paqen dhe unë dua paqen. Thjesht dua të shoh njerëzit të ndalojnë së vrarë njëri-tjetrin” – u shpreh Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Kremlini konfirmoi se biseda zgjati një orë e gjysmë dhe se të dy liderët ranë dakord se zgjidhja e konfliktit është e mundur vetëm përmes negociatave të paqes.
Ndërsa udhëheqësi ukrainas e përshkroi bisedën si të gjatë dhe domethënëse, duke theksuar gatishmërinë e Ukrainës për të bashkëpunuar.
Sekretari amerikan i finansave, Scott Besant, ishte në Kiev për të diskutuar një marrëveshje të mundshme bashkëpunimi ekonomik me presidentin ukrainas, të cilën shefi i Shtëpisë së Bardhë e sheh si pjesë e bazës për një marrëveshje më të madhe paqeje.
“Ne patëm negociata shumë thelbësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kam pasur një bisedë me Presidentin Trump, një bisedë të mirë, të detajuar. I jam mirënjohës Presidentit për interesimin e tij të sinqertë në mundësitë tona të përbashkëta, se si mund ta afrojmë paqen”. – u shpreh Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Konflikti ruso-ukrainas, BE kërkon përfshirje në negociata
Ndërkohë Ministrat e 32 vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur për bisedime për Ukrainën në Munih të Gjermanisë. Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot bëri thirrje për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Evropës në negociata, duke theksuar se nuk do të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë pa pjesëmarrjen e evropianëve.
“Nuk është vetëm integriteti territorial i Ukrainës apo siguria e kontinentit europian që është në rrezik, por edhe e ardhmja e së drejtës ndërkombëtare, sepse largimi nga Ukraina do të nënkuptonte patjetër vendosjen e sundimit të më të fortëve. Do të ishte një ftesë për të gjithë tiranët dhe despotët e botës që të sulmojnë fqinjët e tyre, pa u ndëshkuar plotësisht”. – deklaroi Ministri i Jashtëm i Francës, Jean Noel Barrot.
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock theksoi se Ukraina nuk mund të zgjidhet pa Ukrainën. Polonia dhe shtetet baltike kanë paralajmëruar se çdo bisedim paqeje pa forcuar më parë aftësitë ushtarake të Ukrainës mund të jetë i rrezikshëm. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
