Kufizimi i marzhës, tregtarët paralajmërojnë mbyllje të dyqaneve

13.02.2025 19:14

Oda Ekonomike e Tregtarëve...

Oda Ekonomike e Tregtarëve ashpër kundërshton kufizimin e marzheve, të paralajmëruara nga Qeveria.  Siç njofton Oda, vendimi i cili parasheh 10 për qind kufizim të marzhës do të rrezikojë mbijetesën e shitësve me pakicë dhe do t’i detyrojë ata të largojnë punëtorët, por edhe t’i mbyllin marketet. 

Dëmet, sipas Odës, do të jenë të mëdha, sepse vihet në rrezik mbijetesa e 86 kompanive tregtare me 790 dyqane dhe 4.700 punonjës.

“Në përgjithësi e kundërshtojmë vendimin për kufizimin e marzhës në 10 për qind. Me një marzhë të tillë nuk do të mundemi të mbijetojmë. Do të duhet të marrim vendime kufizuese për pushimin nga puna të punonjësve tanë, për ristrukturimin e punës dhe mbylljen e marketeve”, - theksojnë nga Oda Ekonomike e Tregtarëve.

Kufizimi i marzhës, Filipçe: Masat e Qeverisë nuk do të kenë efekt

Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, nga ana tjetër vlerëson se kufizimi i marzheve si masë e vetme është e vonuar, nuk do të ketë asnjë efekt dhe se nuk do ta ndjejnë qytetarët.

Ai propozon shtatë masa për uljen e çmimeve, përfshirë TVSH-në e energjisë elektrike, uljen e çmimit të kartonit të gjelbër dhe rritjen e pagave në sektorin privat.

“Propozojmë uljen e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5 për qind, uljen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë për tre muajt e ardhshëm, rregullimin e marzheve për produktet ushqimore bazë, zbatimin e menjëhershëm të Ligjit për praktikat e padrejta të tregtisë, uljen e çmimit të kartonit të gjelbër për vetura dhe rritjen e pagave në sektorin privat” – tha Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.

Kufizimi i marzhës, VMRO-DPMNE: Propozimet e LSDM-së, hipokrite

Nga VMRO-DPMNE, propozimet e tilla të Filipçes i kanë quajtur hipokrizi.

“Ata që e rritën çmimin e energjisë elektrike me 50%, duke e shkatërruar sektorin energjetik dhe duke i çuar në kolaps ndërmarrjet energjetike, tani nga opozita propozojnë në mënyrë të rreme dhe hipokrite disa masa. LSDM-ja janë po ata që e rritën TVSH-në për produktet ushqimore nga 5% në 10%, për të kërkuar tani në mënyrë hipokrite heqjen e saj”, - theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe, qeveria ka paralajmëruar kufizim të marzhës për tregtinë me pakicë dhe shumicë në 10 për qind, deri në fund të muajit prill. Ky vendim do të mbulojë mbi 100 grupe produktesh, duke përfshirë produkte ushqimore bazë, produkte higjienike, ushqim për fëmijë dhe produkte të tjera joushqimore me marzh të lartë.  Nevoja për kufizimin e marzhës erdh pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë, e cila është konstatuar nga raporti i Inspektoratit Shtetëror të Tregut. (Ersan Pajaziti, TVM2)