Botë

Sulm me dron në Çernobil, nuk raportohet për viktima

14.02.2025 11:20

Një shpërthim është dëgjuar mbrëmë në vendin e centralit bërthamor të Çernobilit, ka njoftuar mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së...

Një shpërthim është dëgjuar mbrëmë  në vendin e centralit bërthamor të Çernobilit, ka njoftuar mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) deklaroi se një zjarr filloi pas shpërthimit.
Personeli i sigurisë u përgjigj brenda pak minutash. Ndërsa deri më tani nuk raportohet për viktima.
 
“Nivelet e rrezatimit brenda dhe jashtë mbeten normale dhe të qëndrueshme. IAEA vazhdon të monitorojë situatën”, shtoi agjencia.
 
Së fundmi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndau detaje për atë që ndodhi. Zelensky tha se një dron sulmues rus me një kokë me eksplozivë goditi vendin. Ai tregoi se ka pasur dëme “të konsiderueshme” në strehën që e ruan reaktorin, por nivelet e rrezatimit nuk janë rritur dhe janë duke u monitoruar vazhdimisht.