Maqedoni

Plenumi i Nxënësve proteston para MASh-it, simbolikisht zhvishen uniformat shkollore

06.05.2015 18:31

Me heqje simbolike të uniformave, Plenumi i Nxënësve filloi protestën para MASh-it, duke bllokuar komunikacionin...

Të përkrahur edhe nga qytetarë, nxënësit bënë të ditur se kjo betejë do të vazhdojë edhe përkundër faktit se kanë nënshkruar fletëparaqitjet për t’iu nënshtruar maturës.
 
Ata edhe një herë i bënë thirrje MASh-it të zhvillohen negociata, sepse në të kundërtën bojkoti dhe protestat do të vazhdojnë.
 
“Protesta e sotme ka simbolikë të caktuar dhe ajo është heqja e uniformave para MASh-it dhe me këtë ne tregojmë se nuk frikohemi dhe mbetemi stoik në kërkesat tona, e ato janë ta përmirësojmë cilësinë e arsimit në Maqedoni. Ne sinqerisht besojmë se munden të na ftojnë edhe në një takim, por u mbetet atyre ky vendim”- deklaroi Aleksandar Mitevski nga Plenumi i Nxënësve.
 
“Zotërinjtë nga MASh-i të kenë sens për kërkesat tona, të shohin se çfarë po ndodhë, ka 10 ditë që nxënësit bojkotojnë mësimin. Është turp, le ta shohin lart nga dritaret e MASh-it se çfarë po ndodhë këtu. Fëmijët janë në rrugë, le të vetëdijesohen dhe le të na ftojnë në takim edhe ne mësimdhënësve, që të ofrojmë zgjidhje për të gjitha çështjet, ne jemi në dispozicion”- u tha nga Plenumi i Profesorëve.
 
Nga Plenumi i Nxënësve bëjnë të ditur se gjatë ditës së nesërme do të vendosen hapat e mëtejshëm.
 
Nxënësit nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre për të pasur ndryshime përmbajtësore të testimit ekstern, ndërkohë nga Ministria e Arsimit edhe gjatë ditës së sotme nuk morën përgjigje konkrete.
 
Nga MASh-i, ditë më parë deklaruan se testimi ekstern është proces që nuk mund të ndërpritet në fund dhe se negociatat do të vazhdojnë me qëllim të mundësimit të një arsimimi sa më cilësor.
 
FLUTURA LATIFI