Maqedoni
Në burgjet e vendit vazhdojnë bastisjet, konfiskohen celularë
14.02.2025 14:24
Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve nuk ndalon me aksionet dhe bastisjet për sekuestrimin e celularëve nëpër burgjet e vendit...

Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve nuk ndalon me aksionet dhe bastisjet për sekuestrimin e celularëve nëpër burgjet e vendit. Drejtori i kësaj drejtorie Aleksandar Pandov thotë se vazhdojnë me aksionet në celulat e burgjeve, për t’ua konfiskuar celularët e të dyshuarve që komunikojnë të tjerë jashtë grilave. Vetëm këtë javë në tre bastisje te realizuara, janë sekuestruar rreth 135 celularë, një numër i madh i tyre në Burgun e Shutkës. Ky është shqetësim shumë i madh, andaj duhet të ndërpriten njëherë e përgjithmonë tentativat e tilla, tha Pandov.
“Tre ditë pasi gjetëm dhe sekuestruam 70 celularë në Burgun e Shkupit, ekipet tona gjetën edhe 35 celularë të tjerë. Hiç më larg se dje, përsëri ishin në Burgun e Shutkës në pjesën e hapur dhe gjysmë të hapur përsëri gjetën edhe 35 celularë në këtë burg. Si krahasim gjatë bastisjes e të hënës në burgun e Shipit dhe të Strumicës ekipet tona gjetën vetëm 3 celularë. Mua kjo më brengos se ku qëndron problemi se aty gjetën më pak, e në burgun e Shkupit më shumë. Andaj unë po ripërsëris, ka një pjesë e të punësuarve në Burgun e Shkupit, nuk duhet të jenë pjesë e stafit të burgjeve dhe nuk duhen të mbajnë uniformën e gardianit sepse janë turp për gjithë sistemin e burgjeve.”, u shpreh drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve Aleksandar Pandov.
Ndaj të gjithë atyre që kanë keqpërdorur vendin e punës dhe kanë trafikuar celularë nuk do të ketë më mëshirë. Pandov thotë se ata do të sanksionohen dhe do përgjigjen para organeve të drejtësisë, ndërsa me këtë rast veçmë ka filluar procedura disiplinore ndaj dy të punësuarve.
“Duhet të kenë të qartë se të gjithë ata që tregtojnë me ceularë do të kapen dhe do të ndëshkohen dhe do të largohen nga puna dhe me gjithë autoritetin tim që kam edhe në prokurori dhe gjyqësor ata persona të përfundojnë përpara grilave sepse ata po luajnë një lojë shumë e rrezikshme.”, tha Pandov.
FSSh: Sigurim shëndetësor për të burgosurit
Kjo u tha gjatë arritjes së marrëveshjes mes udhëheqësve të Drejtorisë dhe të Fondit Shëndetësor me ç’rast u zgjidh edhe problemi i sigurimit shëndetësor të të burgosurve.
“Zgjidhja ishte digjitalizimi, respektivisht atë që drejtoria paraqet, Fondi e shef në mënyrë automatike dhe digjitale dhe tani e tutje do të ketë përputhje mes numrit të të siguruarëve dhe shumën që e paguan drejtoria për atë për të pasur shërbime mjekësore me participim. Është problem banal, por që ka zgjatur pa e zgjidhur askush tashmë 5 vite me radhë.”, tha drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski.
Pandov dhe Klekovski thonë se në disa institucione ndëshkuese përmisuese ka mungesë të theksuar të kuadrit mjekësor dhe premton se institucionalisht ka gatishmëri dhe vullnet për të përmirësuar gjendjen në këtë drejtim duke gjetur edhe mënyrën më të mirë për ti motivuar të punësuarit mjekësor të punojnë në këto institucione.
REXHEP QAMILI
