Ndryshimi i stemës shtetërore, Taravari: Të ndryshohet edhe himni, edhe 20 përqindëshi
Ndryshimi i stemës shtetërore...

Ndryshimi i stemës shtetërore të zgjidhet në një pako së bashku me tema tjera etnike si ndryshimi i himnit shtetëror dhe heqja e 20 përqindëshit nga Kushtetuta për gjuhën shqipe, ka deklaruar ministri i shëndetsisë Arben Taravari.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut është një nga të paktat shtete postsocialiste që nuk e ka ndryshuar stemën.
“VLEN është i gatshëm të bisedojë për gjithçka. Për fat të keq, në periudhën e kaluar, më shumë tema të ndjeshme janë lënë mënjanë. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për një pako masash që kanë mbetur të pazgjidhura për 20 – 30 vitet e fundit dhe t’i zgjidhim ato në një pako. Pse të mos përfshihen këtu edhe stema, himni, 20 përqindëshi dhe çështje të tjera etnike, nëse ka, dhe më në fund të fokusohemi te ekonomia, integrimi evropian, lufta kundër korrupsionit, pagat më të mira, jeta më e mirë.” – tha Ministri i Shëndetsisë, Arben Taravari.
Ndryshimi i stemës dhe himnit, LSDM: Deklaratat e Taravarit, skandaloze
Ndaj deklaratave të tilla të Taravarit kanë reraguar ashpër nga LSDM opozitare. Social-demokratët i kanë kërkuar llogari kryeministrit Mickoski, se si mundet që një ministër i qeverisë së tij të ketë prioritet temat etnike se sa reformat në shëndetësi, ekonomi, drejtësi e kështu me rradhë.
“Kjo deklaratë tronditëse e ministrit Taravari, i cili merret me gjithçka përveç shëndetësisë, për të cilën është përgjegjës, konfirmon se Qeveria është tërësisht e dorëzuar nga ajo që në të vërtetë është prioritet për qytetarët. Në vend që të ofrojë zgjidhje për problemet reale, varfërinë që po rritet dhe standardin e qytetarëve, Qeveria do ta mashtrojë popullin me tema nga e kaluara për t’ia larguar vëmendjen nga e tashmja e dhimbshme” – deklaroi Metodija Ilievski nga LSDM.
Ndryshimi i himnit, VMRO: Asnjëherë nuk është diskutuar për himnin
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se asnjëherë nuk është diskutuar për ndryshimin e himnit shtetëror.
“Asnjëherë nuk është diskutuar për ndryshimin e himnit, dhe as në të ardhmen nuk do të diskutohet. Qytetarët mund të jenë të qetë. Koha e BDI-së dhe LSDM-së për humbje dhe dështime në të gjitha temat, me qëllim që të fshihen krimet, ka kaluar”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Përndryshe tema e stemës shtetërore është riaktualizuar pasi kryeministri Hristijan Mickoski, i cili konfirmoi se partitë nga koalicioni qeverisës, VMRO-DPMNE dhe VLEN, e kanë hapur çështjen për ndryshimin e stemës shtetërore. (Ersan Pajaziti, TVM2)
