Durmishi-Oda e Tregtarëve, dakordim përfundimtar për çmimet

14.02.2025 15:29

Brenda javës së ardhshme do të merret vendimi...

Brenda javës së ardhshme do të merret vendimi përfundimtar për kufizimin e marzhës në 10 %, kështu deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, i cili me Drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Vlatko Stojkoski dhe përfaqësues të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, kanë mbajtur takim me përfaqësues të tregtarëve, distributorë më të mëdhenj në vend, për të analizuar dhe për të sjellë një vendim, i cili do të jetë i dobishëm për të gjithë.

“Në mbledhje u diskutua projektvendimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për kufizimin e marzhit bruto të fitimit në 10% në tregtinë me shumicë, dhe 10% në tregtinë me pakicë të disa produkteve bazë ushqimore dhe higjienike.Tregtarët dhe shpërndarësit dhanë sugjerimet dhe komentet e tyre, të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Punës do t’i analizojë më tej. Në takim u ra dakord që vendimi përfundimtar të merret brenda javës së ardhshme”, thuhet në njoftim.

LSDM dhe VMRO me akuza ndaj njëra tjetrës

Nga ana tjetër LSDM vazhdon të insistoj se masat të cilat i propozon Qeveria nuk do të japin efekt. Nënkryetari i LSDM-së Metodija Ilievski elaboroi shtatë masat për ruajtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

Ai theksoi se këto masa janë konkrete dhe se në këtë mënyrë do t'i mbrojnë qytetarët nga rënia e mëtejshme e standardit jetësor.

“Ulje e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18% në 5%. Ulje e TVSH-së për produktet ushqimore bazë. Ngrirja e çmimeve të produkteve bazë. Fiksimi i marzheve për produktet bazë. Zbatimi urgjent i Ligjit për praktikat e padrejta tregtare. Ulja e çmimit të “kartonit të gjelbër” për makinat. Rritja e pagave në sektorin privat duke ngrirë kontributet. Këto masa janë krijuar për të vepruar shpejt dhe me efektivitet. Ato do të ulin presionin mbi buxhetet tuaja, do të sjellin më shumë para në çdo familje dhe do ta stabilizojnë ekonominë”. – tha Nënkryetari i LSDM-së, Metodia Ilievski.

Ka reaguar VMRO-DPMNE. Nga atje thonë se LSDM është në mbrojte të kapitalit dhe tregtarëve.

“LSD e ka dëshmuar veten në bashkëpunim me kapitalistët e mëdhenj dhe se nuk ka ndjenja për popullin. LSD sa ishte në pushtet, në vend që të punonte për interesat e qytetarëve, punonte ekskluzivisht në interes të elitës së tyre politike, e cila së bashku me tregtarët dhe kapitalin, plaçkitën shtetin dhe varfëruan popullin, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së”. – thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga partia në pushtet thonë se në vazhdimësi po merren masa nga ana e Qeverisë për ruajtjen e standardit jetësor të qytetarëve, duke ulur çmimet e produkteve ushqimore, që siç thonë vetëm në masën e fundit janë ulur çmimet e mbi 1000 produkteve. (Armend Murseli, TVM2)