Maqedoni

Gostivar, digjet depoja e poliesterit në afërisi të f. Negotinë

16.02.2025 13:28

Mbrëme, pak pas mesnate, Njësiti territorial kundër zjarreve në Gostivar...

Mbrëme, pak pas mesnate, Njësiti territorial kundër zjarreve në Gostivar ka intervenuar në një objekt të kapluar nga zjarri në afërsi të çkyçjes së fshatit Negotinë, në atarin e fshatit Çegran.  
 
SPB Tetovë ka raportuar për zjarr në një objekt-punishte në pronësi të personit M.A. (27) nga fshati Zdunjë e Gostivarit. Bëhet fjalë për një magazinë për prodhimin e poliesterit e përbërë nga tre objekte, dy prej të cilave janë djegur plotësisht, ndërsa i treti pjesërisht, njofton Qendra për Menaxhim me Krizat.
 
Në ndihmë të zjarrfikësve të Gostivarit u kanë ardhur edhe zjarrfikësit nga Tetova, të cilët kanë intervenuar deri në orën 04:00 të mëngjesit.
 
“Shërbimi i Emergjencave nga Gostivari njoftoi se një zjarrfikës gjatë intervenimit ka rënë nga shkallët dhe ka pësuar lëndime, për çka është dërguar në spitalin e Gostivarit. 
 
Bëhet fjalë për komandantin e togut  në Njësitin Teritorial Kunder Zjarrit i cili është rrëzuar nga një lartësi prej rreth tre metrave dhe pos tronditjes, ka marrë lëndime më serioze në dorë. Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe gjendet jashta rrezikut për jetë.
 
Zjarri është lokalizuar, ndërsa inspektim në vendin e zjarrit ka kryer edhe ekipi i Drejtorisë për Punë të Brendshme nga Gostivari.
 
LULZIM HAZIRI