Maqedoni
Mickoski dhe Rama në Mynih, shqetësime për ngadalësimin e procesit eurointegrues
16.02.2025 14:44
Procesi i integrimit evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i ngadalshëm...

Procesi i integrimit evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i ngadalshëm dhe shpeshherë i penguar nga sfida të shumta politike dhe bilaterale.
Rruga drejt BE-së duket shumë më komplekse vlerëson kryeministri Hristijan Mickoski, i cili së bashku me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në panelin “Zgjerimi i BE-së” në Mynih të Gjermanisë ngritën shqetësimin për sfidat, pengesat dhe ngecjen për anëtarësim të dyja vendeve në familjen e madhe evropiane.
“Për ne, vendimet e bazuara në meritë janë si një përrallë. Ne jemi pjesë e Evropës dhe dëshirojmë t’i zbatojmë vlerat evropiane. Por, ajo që po ndodh është diçka krejtësisht ndryshe. Jemi viktimë e bilatarizimit ose, për të qenë më i saktë, rrugëtimi ynë drejt jush është shumë më kompleks.Ne jemi dëshmitarë të asaj që mund ta quajmë ‘Ballkanizim i Evropës’, në vend që të ketë ‘Evropianizim të Ballkanit’. Disa shtete anëtare të Ballkanit i kanë sjellë në Bruksel problemet dhe vlerat ballkanike, në vend që të ndodhte e kundërta”, u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Në këtë panel diskutimi nuk munguan edhe batutat. Kryeministri i Shqipërisë, Rama teksa kërkoi përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së, tha se kur nisi ky proces “i kishte flokët e zeza”.
“Kur e filluam këtë proces, flokët i kisha krejtësisht të zeza, mjekrra më ishte më e dendur. Mendoj se BE-ja duhet të reflektojë për atë që po ndodh. Ajo ka ndryshuar, duke filluar nga qasja ndaj nesh dhe sa i përket shpejtësisë së proceseve për Ballkanin Perëndimor.Por ajo që po ndodh na tregon se ndryshimet po ndodhin shumë ngadalë dhe shumë pak.Mund të flasim për merita gjithë ditën, por ka ardhur koha për një ndarje të shpejtë dhe të pastër”, theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Nga ana tjetër Komisionerja Evropiane për zgjerim, Marta Kos, shprehu mirëkuptim edhe për Mickoskin edhe për Ramën. Tha se gjatë mandatit të saj do të bëj përpjekje që të dy vendet të mbyllin procesin e euro-integrues.
“Asnjëherë nuk është mirë kur çështjet bilaterale pengojnë procesin, por kjo ndodh vazhdimisht. E kuptoj frustrimin...Gjatë mandatit tim, do t’i çojmë tëdy vendet deri në përfundimin e procesit të anëtarësimit dhe do ta mbyllim procesin e negociatave.Për Ballkanin Perëndimor, është shumë më e lehtë të bëhen anëtarë të NATO-s sesa të BE-së...Nga ana tjetër, kemi një situatë të kundërt në Ukrainë. Është ndryshe në këtë pjesë të BE-së”, u shpreh komisionerja Evropiane për zgjerim, Marta Kos.
Mickoski dhe Rama shtuan se meritat duhet të vlejnë për një çështje – të drejtën e votës në Këshillin Evropian. Kërkuan që vendet të cilat edhe pse nuk janë pjesë e BE-së, por janë pjesë e këtij rajoni të Evropës, të integrohennë Tregun e Përbashkët.
Hapja graduale e Tregut të Përbashkët për këto vende dhe përfshirja më e madhe në vendimmarrjet rajonale do të ishin hapa të rëndësishëm për të riafirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
ARMEND MURSELI
