Maqedoni
Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit, fluturim i ri çarter i një kompanie ajrore gjermane
16.02.2025 18:29
Sot në Aeroportin e Shkupit ka aterruar fluturimi i parë çarter i linjës ajrore Freebird Airlines nga Gjermania...

Sot në Aeroportin e Shkupit ka aterruar fluturimi i parë çarter i linjës ajrore Freebird Airlines nga Gjermania, i cili solli grupin e parë prej 180 turistësh gjermanë.
Kjo shënoi fillimin e këtyre fluturimeve çarter që do të mbërrijnë në Aeroportin e Shkupit çdo ditë, duke filluar nga sot deri në fillim të qershorit, e më pas nga tetori deri në mes të dhjetorit.
“Sot mirëpritëm fluturimin e parë çarter të Freebird Airlines, i cili solli 180 turistë gjermanë nga Dyseldorfi dhe Frankfurti. Shpresojmë që të gjithë 35,000 turistët që pritet të mbërrijnë këtë vit nga 13 destinacione të ndryshme në Gjermani, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit do të kenë kujtime të bukura nga udhëtimi i tyre, të mbushura me mikpritje, përvoja kulturore dhe kënaqësi gastronomike”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt.
“Ajo që është më e rëndësishme të thuhet është se me përpjekjet e përbashkëta të Qeverisë, operatorëve turistikë, me përpjekjet dhe mbështetjen e përbashkët të TAV Maqedoni dhe aeroportit të Shkupit dhe Ohrit, po arrijmë të tërheqim turistë që vijnë jashtë sezonit të verës dhe dimrit. Në periudhën shkurt-maj dhe periudhën tetor-dhjetor, vetëm këtë vit në Maqedoni do të vijnë 35.000 turistë”, theksoi ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski.
ARMEND MURSELI
