Botë
Heusgen, Evropës i nevojitet një plan paqeje evropiane
16.02.2025 18:50
Në konferencën e Sigurisë në Mynih, kryesuesi i saj theksoi se Evropa...

Në konferencën e Sigurisë në Mynih, kryesuesi i saj theksoi se Evropa ka urgjentisht nevojë për një plan paqeje evropiane dhe për ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Gjatë tre ditëve të diskutimeve dhe prezantimeve nga krerë shtetesh, ministra dhe anëtarë të organizatave ndërkombëtare, fokusi ishte në luftën në Ukrainë.
“Është e qartë se rendi ynë ndërkombëtar i bazuar në rregulla është nën presion. Besimi im i fortë është se kjo botë shumëpolare duhet të bazohet në një grup të vetëm normash dhe parimesh të Kartës së OKB-së dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Ky rend është lehtësisht i kërcënuar, lehtë mund të shkatërrohet, por është shumë më e vështirë të riparohet”, u shpreh kryesuesi i konferencës së sigurisë në Mynih, Christoph Heusgen.
Tone të ashpra ishin drejtuar ndaj Rusisë. Presidenti i Finlandës bëri thirrje për armatosjen e Ukrainës dhe për shtimin e presionit ndaj Moskës përmes sanksioneve dhe ngrirjes së pasurive.
“Ky është momenti për të armatosur përsëri Ukrainën dhe për të ushtruar presion maksimal ndaj Rusisë, që do të thotë sanksione, ngrirje të fondeve, që Ukraina të fillojë këto bisedime nga pozita e forcës”, theksoi presidenti i Finlandës, Aleksandër Stubb.
Një samit joformalist evropian për Ukrainën do të mbahet të hënën në Paris, me mikpritës presidentin francez Macron. Takimi vjen pas deklaratave të dërguarit të veçantë të Donald Trump për Ukrainën, Kit Kellog, që tha se liderët evropianë nuk do të marrin pjesë në asnjë bisedim midis SHBA-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës.
“Ka një rregull të vjetër që çdo administratë e re amerikane i mëson përsëri Rusisë dhe Evropës. Dhe ne sapo kishim një shembull për këtë. E thashë publikisht dje, dhe shpresoj se e keni vënë re, se besueshmëria e Shteteve të Bashkuara si aleate varet nga rezultati i kësaj lufte. Nga ajo nëse Ukraina do ta ruajë pavarësinë e saj dhe si do të trajtohet ajo. Po flasim, jo vetëm për dinjitetin e administratës aktuale, por edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përgjithësi. Dhe Evropa do të mësojë nga kjo”, u shpreh ministri i jashtëm i Polonisë, Radislav Sikorski.
Po bëhen gjithnjë e më të zëshme pohime se në Arabinë Saudite mund të përcaktohet fati i luftës trevjeçare në Evropë, por pa Ukrainën. Qëllimi i bisedimeve në Riad duket të jetë organizimi i një takimi midis dy presidentëve, Donald Trump dhe Vladimir Putin. Ukraina kurrë nuk do të pranojë marrëveshje pa Ukrainën, dhe ky rregull duhet të vlejë për të gjithë Evropën, tha presidenti ukrainas Zelenski.
VLORA LATIFI TOPOJANI
