Rajon
17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, Trampi uron presidenten Osmani
17.02.2025 12:27
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, presidenti Tramp ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces. Ai ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim.
Presidenti Tramp ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus. Në fund të urimit, presidenti Tramp ka theksuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme dhe për të parë drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.
