Maqedoni
Ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Perinski: Ndryshimet do të rrisin transparencën
17.02.2025 13:44
Shkarkimin e kryetarëve të komunave para mbarimit të mandatit të tyre...

Shkarkimin e kryetarëve të komunave para mbarimit të mandatit të tyre, mundësia për deklarim të qytetarëve në referendum për revokimin e tyre, përfshirja e policisë komunale për të pasur mbikëqyrje më të madhe komunale, si dhe pjesëmarrja më aktive të qytetarëve në marrjen e vendimeve komunale, janë disa prej risive të parashikuara në ndryshimet e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, e që numri “një” i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, nuk heq dorë. Në debatin e fundit publik të kushtuar ndryshimeve të këtij ligji, ai thotë se këto ndryshime do të rrisin transparencën dhe efikasitetin e të përzgjedhurve lokalë.
“Jam i bindur se tani më jemi të gatshëm të kalojmë në fazën tjetër, që do të përfshijë përpilimin e propozimeve për ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe për t’i dorëzuar ato Kuvendit për konsultime të mëtejshme me të gjitha partitë politike parlamentare, në mënyrë që të hyjmë më vonë në fazën e miratimit të propozim ndryshimeve të këtij ligji dhe njëkohësisht jam i bindur se përmes kësaj mënyre inkluzive dhe transparente do të arrijmë të miratojmë një zgjidhje më të mirë ligjore se sa që kemi aktualisht.”, - deklaroi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski.
Sipas parashikimeve, i gjithë procesi i përgatitjes të këtyre propozimeve pritet të përfundojë deri më 30 mars, ku në fillim të prillit ato do të duhet të miratohen në seancë qeveritare dhe më pas të njëjtat të futen në procedurë parlamentare. Perinski sqaron se ligji i ri, i cili sipas tij do të miratohet në verë, nuk do të vlejë për kryetarët aktual të komunave, por për të rinjtë që do të marrin mandatin pas zgjedhjeve lokale.
“Është e pamundur që ligji i ri të vlejë në mënyrë retrograde, respektivisht ligji i ri që do ta miratojmë do t’i përfshijë kryetarët e rinj, që do të marrin mandatin pas zgjedhjeve lokale në nëntor të këtij viti.”, - deklaroi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski.
“Ne praktikisht me institucionet e shtetit gjatë kësaj periudhe jemi duke realizuar disa faza të debateve publike, me vetmin qëllim që në fund të miratojmë zgjidhjen më të mirë ligjore.”, - theksoi profesori universitar, Aleksandar Spasenovski.
Debate publike rreth këtyre ndryshimeve më herët u organizuan edhe në Manastir, Shtip dhe Gostivar, ku në të morën pjesë shumë kryetarë të komunave, profesorë dhe ekspertë që njohin mirë procesin e decentralizimit në vend.
REXHEP QAMILI
