Rajon

Pavarësia e Kosovës, Shqipëria uron 17-vjetorin e shtetësisë

17.02.2025 14:18

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duartrokitën për Kosovën në 17-vjetorin e Pavarësisë...

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duartrokitën për Kosovën në 17-vjetorin e Pavarësisë, duke përcjellë urimet për çdo qytetar të Kosovës, për dëshmorët e saj dhe sakrificat e popullit për lirinë që gëzojnë sot.
 
“Mirënjohje pafund për të gjithë martirët e asaj lufte. Mirënjohje pafund për ShBA-në, Britaninë e Madhe e BE-në, NATO-n dhe të gjitha vendet tjera mike. Sot, Republika e Kosovës dhe Shqipëria janë dy gjysma të së njëjtës aspiratë, për t'u bërë së afërmi pjesë e Bashkimit Evropian. Ne në Kuvendin e Shqipërisë mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin e paprerë, jetik e strategjik me institucionet e reja të Republikës së Kosovës, që do të dalin nga zgjedhjet e 9 shkurtit, duke respektuar e nderuar shprehjen e lirë të vullnetit dhe votës së qytetarëve të Kosovës.”, - deklaroi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
 
Prej mëngjesit presidenti Bajram Begaj uroi Pavarësinë me nderim për burrat dhe gratë në Kosovë, që sakrifikuan për lirinë dhe po ashtu falënderoi miqtë e aleatët që i qëndruan në krah Kosovës për krijimin e shtetit të ri.
 
“Mirëmëngjesi, Kosovë!”, shkroi kryeministri, Edi Rama, duke uruar Pavarësinë e shtetit të Kosovës.
 
Në urimin e tij, Lulzim Basha, nënvizon se Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë për të forcuar shtetin dhe integrimin ndërkombëtar.
 
“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë e dashur!”, uroi nga qelia e burgut 313, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
 
Përmes një flamuri gjigant në sheshin “Nënë Tereza” shkoi urimi i shqiptarëve nga Tirana për të gjithë popullin e Kosovës.
 
LULJETA NDOKA