Rajon

Urimet për Pavarësinë nga liderët botërorë

17.02.2025 14:36

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
 
Në mesazhin e tij, presidenti Tramp ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces. Ai ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim. Presidenti Tramp ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus. Në fund të urimit, presidenti Tramp ka theksuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme dhe për të parë drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.
 
Gjithashtu edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, ka uruar Kosovën. “Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t'u bërë një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatshëm. Paqja, siguria dhe zhvillimi ekonomik rajonal mbeten thelbësorë për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës. Ndërsa festoni pavarësinë tuaj, nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta ndërmjet popujve tanë.".
 
Ndërsa deputetja britanike Alisia Kearns, ka shkruar: "Një vend krenar dhe bujar, gatishmëria juaj për të qëndruar pranë aleatëve tuaj ka qenë e përzemërt dhe e sinqertë. Një fener demokracie, në një lagje të vështirë.", ka shkruar ajo në X.
 
Nuk kanë munguar as urimet e Turqisë për Kosovën me rastin e Ditës së Pavarësisë. Ky shtet e ka quajtur Kosovën “vend mik”, përderisa janë zotuar se do të vazhdojnë t’i zhvillojnë marrëdhëniet.
 
“I urojmë popullit mik të Kosovës 17-vjetorin e Pavarësisë. Do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet tona në çdo fushë.”, thuhet në një postim në rrjetet sociale, të Ministrisë së Jashtme të Turqisë.
 
Mesazhe urimi për Ditën e Pavarësisë së Kosovës kanë dërguar edhe shumë liderë të tjerë botërorë.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU