Rajon

Pavarësia e Kosovës, Qehaja: I referohemi të kaluarës, ndërtojmë të ardhmen

17.02.2025 14:52

Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja, në Shkup, kujton sakrificën e heronjve...

Në Ditën e Pavarësisë së Kosovës ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja, në Shkup, kujton sakrificën e heronjve, të cilët kanë dhënë jetën për pavarësinë e Kosovës në periudha të ndryshme të jetës. Ai për TVM2 thekson se rruga për zhvillimin e Kosovës ka qenë mjaftë sfiduese, për shkak të rrethanave ndërkombëtare dhe një raporti fqinjësor që vazhdon të përbëjë sfidë dhe kërcënim për mirëqenien e Kosovës. E gjithë kjo situatë, sipas Qehajës, nuk e ka penguar Kosovën për konsolidim të brendshëm për krijimin e institucioneve. Si progres të rëndësishëm, Qehaja renditi njohjen e Kosovës nga shtetet më të fuqishme në botë, edhe pse ky proces akoma nuk ka arritur të përmbyllet.
 
“Gjithmonë i referohemi të kaluarës që të ndërtojmë të ardhmen. Ne e përjetojmë shumë, veçanërisht, sepse e dimë që së paku fëmijët tanë do të kenë një të ardhme shumë më të mirë se sa ne. Se e kemi paramenduar në një moment të caktuar kohor kur ishim në një okupim dhe kur ushtrohej gjenocid në Kosovë. Kështu që është kënaqësi që ta festojmë 17 Shkurtin dhe e festojmë në të njëjtën kohë 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës.”, - deklaroi ambasadori i Kosovës në RMV, Florian Qehaja.
 
Ditën e Pavarësisë së Kosovës e kanë uruar edhe funksionarë dhe parti politike nga vendi. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka shkruar se kjo ditë paraqet festë për çdo shqiptarë.
 
“Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës shpreh festën e çdo shqiptari, duke shënuar një rrugëtim të mundimshëm, por triumfues, drejt lirisë dhe pavarësisë. Si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e shfrytëzoj këtë mundësi për ta theksuar partneritetin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve tona.". 
 
Në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka uruar edhe koalicioni VLEN. Nga VLEN-i thonë se Maqedonia e Veriut ashtu si çdo herë vazhdon ta përkrahë dhe të qëndrojë afër Kosovës.
 
"Marrëdhëniet tona të ngushta politike, ekonomike dhe kulturore janë themeli i një bashkëpunimi të fortë e afatgjatë. Lidhjet tona historike dhe familjare na bëjnë më të afërt se kurrë, ndërsa partneriteti ynë do të vazhdojë të thellohet për të përballuar sfidat rajonale dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për shqiptarët kudo që janë.", thonë nga VLEN-i. 
 
Në urimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, thuhet se kjo ditë është simbol i sakrificës, guximit dhe qëndresës së popullit shqiptar. Ahmeti uroi që shumë shpejt, përvjetorin e Pavarësisë, Kosova ta festojë si anëtare e NATO-s.
 
"Bashkë do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe për avancimin e integrimeve evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë qytetarët tanë.", thuhet në urimin e Ahmetit.
 
FLORIJE KAMBERI