Rajon
Kosovë, aktivitete të shumta për 17-vjetorin e Pavarësisë
17.02.2025 15:05
17 Shkurti shënon 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të shpallur në vitin 2008....

17 Shkurti shënon 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të shpallur në vitin 2008. Pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës së Pavarësisë ishte parakalimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës në sheshin “Xhorxh Bush” të Prishtinës.
“Zonja Presidente, kuadratet e FSK-së dhe policisë së Kosovës me pajisje dhe automjete luftarake janë të gatshëm për parakalim për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.”, - raporton gjeneral, Ilir Seliqi.
“Filloni me parakalimin, Gjeneral!”, - u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se krijimi i shtetit të Kosovës është një nga ngjarjet më të fuqishme në historinë moderne të Evropës. Teksa po shënojmë 17 Shkurtin, po kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan dhe kontribuuan për vendin, tha Kurti.
“Sot kur po e festojmë 17-vjetorin e Pavarësisë, të gjithë dëshmorët dhe martirët janë mes nesh, sepse vendi është ndërtuar pikërisht mbi gjakun e tyre. Republika e Kosovës është shtëpia e popullit tonë, te e cila strehohemi dhe jetojmë të gjithë ne sot pa dallime kulturore dhe shoqërore, etnike dhe fetare, me bashkëpjesëmarrje dhe të barabartë. Republika e Kosovës është e shqiptarëve, por edhe e pakicave, sepse vullneti i shumicës në demokraci liberale kompletohet me të drejtat e të gjithave pakicave.”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.
Paraprakisht presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti, morën pjesë edhe në ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës, me rastin e shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa Qeveria e Kosovës mbajti një mbledhje festive.
GYLTENE SINANI
