Maqedoni

Integrimi, Rokas: BE-ja do të ndihmojë, pengesë janë çështjet politike

17.02.2025 15:35

Maqedonia e Veriut ballafaqohet me probleme që e pengojnë ecurinë drejt BE-së dhe ato çështje janë të njohura për të gjithë, tha euroambasadori, Mihalis Rokas...

Maqedonia e Veriut ballafaqohet me probleme që e pengojnë ecurinë drejt BE-së dhe ato çështje janë të njohura për të gjithë, tha euroambasadori, Mihalis Rokas. Përmend edhe realizimin e reformave të nevojshme dhe zgjidhjen e sfidave të tjera politike që i atribuojnë integrimit të vendit. S’kemi rrugë tjetër pos Evropës së bashkuar, tha Rokas, që sipas tij e bën BE-në më të fuqishme politikisht, ekonomikisht dhe më të sigurt në aspekt sigurie. Shpreh gatishmërinë e Unionit për ta ndihmuar vendin tonë në proces dhe bind se zgjerimi është politikë ku punohet dhe do të realizohet.
 
“Ekzistojnë çështje politike të cilat të gjithë i dimë, për shkak të së cilave nuk mund të ecim përpara, por nga ana tjetër kemi guxim për të biseduar hapur për këto çështje. Kontaktet e para tashmë janë bërë mes dy qeverive, ndërkaq nga ana e BE-së ekziston dëshirë e palëkundur për të ndihmuar në këtë proces.”, - deklaroi euroambasadori, Mihalis Rokas.
 
Vazhdimi i procesit integrues, Milloshovski: BE-ja nuk tregon seriozitet në zgjerim
 
Për të vazhduar procesin eurointegrues nga Kuvendi vazhdojnë të kërkojnë ndryshime kushtetuese me efekt të prolonguar. Antonio Milloshovski, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane e quan argument racional këtë kërkesë, e cila do ta pengonte Bullgarinë në vendosjen e vetove të reja. Ai kërkon që situata të menaxhohet nga BE-ja deri në fund, por është skeptik, nëse Unioni njëmend dëshiron të zgjerohet.
 
“BE-ja në dhjetë vitet e fundit, sipas meje, vlerësoj se nuk ka vizion serioz për zgjerim. Shohim se kjo është bërë një frazë shpesh e përsëritur, ndërsa në vepër nuk kemi vendime gjeopolitike serioze, që do të thonin zgjerim të BE-së me Ballkanin Perëndimor.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshovski.
 
Sfidat gjeopolitke, Braun: Zgjerimi i BE-së luan rol
 
Nga Fondacioni “Konrad Adenaur” theksojnë rolin e zgjerimit të BE-së në gjeopolitikën ndërkombëtare.
 
“Evropa më shumë se në çdo kohë tjetër duhet të gjejë forca, t’i gjejë anët e veta të fuqishme, po ashtu edhe kufijtë. Politika e zgjerimit sigurisht se do të jetë e rënduar, për shkak të rrethanave që po ndodhin.”, - u shpreh përfaqësuesi zyrtar i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Daniel Braun.
 
Këto komente u thanë në hulumtimin e opinionit publik mbi mbështetjen  e anëtarësimin të vendit në BE, e cila arrin 62% nga numri i përgjithshëm i të anketuarve, realizuar nga Instituti për Demokraci “Socitas Civilis” dhe fondacioni “Konrad Adenauer”.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU