Maqedoni

Tetovë, përkujtohen Abdylselam Emini dhe Fadil Sulejmani

17.02.2025 15:45

Universiteti i Tetovës ka filluar aktivitetet e para për ta kujtuar ligjëratën e parë të vitit 1995 në fshatin Poroj të Tetovës....

Me homazhe tek busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, dhe tek varri i rektorit të parë, Fadil Sulejmani, Universiteti i Tetovës ka filluar aktivitetet e para për ta kujtuar ligjëratën e parë të vitit 1995 në fshatin Poroj të Tetovës. 30 vite më parë i gjithë arsenali shtetëror kishte zbarkuar në Poroj të Tetovës për të ndaluar hapjen dhe ligjëratat e para të UT-së. Rezistenca e popullatës bëri që ligjërata e parë të mbahet edhe përkundër dhunës dhe trysnisë nga pjesëtarët policorë. Ish-kryetari i studentëve të parë të Tetovës e sot rektor i këtij universiteti, Jusuf Zejneli, tha se rruga nuk ka qene e lehtë deri tek themelet e universitetit.
 
“Nuk ishte një rrugë e lehtë, por ishte një rrugë e domosdoshme, që sot frymëzon gjenerata të reja drejt dijeve dhe sukseseve akademike. Ky universitet nuk është vetëm një institucion arsimor, por edhe një simbol i qëndresës dhe vullnetit tonë për ta ruajtur dhe zhvilluar gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.”, - theksoi rektori i UT-së, Jusuf Zejneli.  
 
Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të  Tetovës, Blerton Sulejmani, tha se çdo gur i këtij institucioni është gdhendur me përpjeke të atyre që nuk u dorëzuan për dije e arsimim.
 
“Të gjithë universitetet në botë kanë një histori, por pak prej tyre kanë një histori të tillë sfidash dhe triumfesh si kjo. Në çdo gur të këtij institucioni janë gdhendur përpjekjet e atyre që nuk u dorëzuan, e atyre që besuan se dijes nuk mund t’i vendosen kufij. Kjo është një histori që nuk flet vetëm për të kaluarën, por që na udhëzon drejt së ardhmes.”, - u shpreh dekani, Blerton Sulejmani.
 
Përndryshe, në Universitetin e Tetovës, për nder të kësaj dite të veçantë u mbajt edhe një Akademi solemne kushtuar ligjëratave të para. Universiteti i Tetovës ka nderuar me mirënjohje  të gjithë Dekanat  e parë për rolin dhe përkushtimin e tyre, që kanë pasur për hapjen dhe themelimin e UT-së.
 
VISAR SADIKI