Maqedoni
Kumanovë: Një nxënës infektohet me “Zgjebe”, kurse dyshohet edhe për tre të tjerë
17.02.2025 16:04
Në ShFK “Qirili e Metodi” në fshatin Rramanli të Kumanovës, katër nxënës gjenden në izolim shtëpiak..

Në ShFK “Qirili e Metodi” në fshatin Rramanli të Kumanovës, katër nxënës gjenden në izolim shtëpiak, për shkak se tek ata është konstatuar sëmundja e “Zgjebes”. Në të vërtetë në bazë të njoftimit të drejtorit të shkollës, Skender Rushiti, te njëri nga nxënësit është konfirmuar infektimi nga sëmundja e “Zgjebes”, kurse tek tre të tjerët ekziston dyshimi të jenë edhe ata të infektuar, por që akoma nuk është konfirmuar. Pas paraqitjes së këtyre rasteve janë ndërmarrë masa adekuate të shërbimeve kompetente, kurse ambientet e shkollës janë dezinfektuar tërësisht.
Nxënësi tek i cili u konstatua sëmundja e “Zgjebes” së bashku me familjen e tij deri më datë 22 prill do të gjenden në izolim shtëpiak. Ndër masat që i ka marrë shkolla, menjëherë janë edhe ligjëratat për sëmundjet ngjitëse, kurse gjatë ditës së sotme përfaqësues të QShP-së qëndruan në ambientet e shkollës ku ndërmorën masat adekuate rreth këqyrjes së gjendjes aktuale. Skender Rushiti gjithashtu njofton se procesi edukativo arsimor është mbajtur pa ndërprerje, pasi që u krye dezinfektimi i tërësishëm i shkollës.
FATLUM AQIFI
