Maqedoni
Ndryshimet në stemën shtetërore, Milloshovski shpalos motivet që do të përfshihen
17.02.2025 16:22
VMRO – DPMNE shpalos motivet të cilat do të ishin përfshirë në stemën e re shtetërore...

VMRO – DPMNE shpalos motivet të cilat do të ishin përfshirë në stemën e re shtetërore. Deputeti, Antonio Milloshovski, i cili i doli në mbrojtje iniciativës për ndryshime, tha se shteti duhet të ketë stemë bashkëkohore, duke përfshirë periudhën e Ilindenit, KAÇKM-në, si dhe motive ndëretnike. Sipas tij, ndryshimet nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale.
“Maqedonia nuk duhet të mbetet në shoqëri me Bjellorusinë, Taxhikistanin dhe Angolën. Këto janë shtetet e pakta në botë, të cilat në stema ende kanë simbolika sovjetike. Vlerësoj se Maqedonia ka trashëgimi të mirë historike, e cila mund të lidhë KAÇKM-në, periudhën e Ilindenit dhe periudhat paraprake të shtetit tonë të përbashkët dhe kjo të pasqyrohet në një stemë shtetërore bashkëkohore, i cili do të ishte më i mirë dhe në mënyrë më cilësore do të shprehte përcaktimet e Maqedonisë dhe në atë simbolikë të jetë edhe si pjesë e familjes evropiane.”, - deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO – DPMNE.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, është shprehur kundër ndryshimeve, me arsyetimin se në të mjaftueshëm janë të paraqitura të gjitha dobitë e luftës nacionalçlirimitare dhe nuk ka ndarje në etni. Socialdemokratët me forma demokratike do të vihen kundër ndryshimeve.
Kryeministri, Hristijan Mickoski, është shprehur se kursi politik kundrejt ndryshimit të stemës vjen pas bisedimeve me partnerët e koalicionit VLEN. Partitë shqiptare në pushtet kërkojnë që së bashku me stemën të ndryshohet himni, si dhe zyrtarizohet gjuha shqipe në nivel shtetëror.
Dimitrievski kundër ndryshimeve
Ndërkohë Maksim Dimitrievski, kryetar i Lëvizjes “E Di” është shprehur kundër ndryshimeve.
“Nëse veç më flasim për ndryshime të stemës ose të simboleve të tjera shtetërore, mendoj se do të hapet një debat i madh, një temë e madhe. Unë personalisht vlerësoj se këtë stemë që ka shteti i përmbush të gjitha nevojat, si të vazhdimësisë historike, gjeografike.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes “E Di”, Maksim Dimitrievski.
Por, çështja e stemës nuk është risi, pasi ajo u përfol në vitin 2014 nga VMRO dhe BDI, për përfshirjen e luanit në të si simbol që do të përfaqësonte edhe shqiptarët. Tani nga partia e Mickoskit vlerësojnë se për ndryshimet do të hapet debat, me qëllim arritjen e një konsensusi në një afat të papërkufizuar.
MERAL ISMAILI
