Botë
Kremlini konfirmoi takimin Rusi - ShBA
17.02.2025 16:45
Nisin bisedimet për armëpushim në Ukrainë...

Nisin bisedimet për armëpushim në Ukrainë. Takimi Rusi - ShBA do të zhvillohet të martën në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, do të udhëheqë delegacionin rus në bisedimet me Shtetet e Bashkuara në Arabinë Saudite dhe ekipi i tij do të përfshijë edhe Juri Ushakovin, këshilltarin për Politikën e Jashtme të Vladimir Putinit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, e konfirmoi takimin e nesërm.
“Sot, në emër të presidentit Vladimir Putin, ministri i Jashtëm Lavrov dhe ndihmësi i presidentit, Ushakov, po fluturojnë për në Riad. Ata pritet të takohen me homologët e tyre amerikanë të martën, ku diskutimet do të fokusohen kryesisht në rivendosjen e spektrit të plotë të marrëdhënieve ruso-amerikane.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Kremlini thotë se Putini është gati, ndërsa Trampi është i mirëpritur në Rusi.
“Ne po përpiqemi të arrijmë paqen me Rusinë, Ukrainën dhe po punojmë shumë për këtë. Është një luftë që nuk duhet të kishte filluar kurrë. Mendoj se Putini dëshiron të ndalojë së luftuari. Unë e shoh atë. Ata të dy duan ta zgjidhin këtë shpejt dhe Zelenski e dëshiron këtë.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Zelenski: Ukraina s’do t’u bashkohet bisedimeve ShBA - Rusi
Por, presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, tha se Ukraina nuk do të marrë pjesë në bisedimet e kësaj jave mes ShBA-së dhe Rusisë në Arabinë Saudite për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Ukraina nuk do të marrë pjesë. Ukraina nuk dinte asgjë për këtë. Ukraina e konsideron çdo negociatë për Ukrainën pa Ukrainën, si të pa rezultat, dhe ne nuk mund të njohim asnjë marrëveshje për ne, pa ne. Arabinë Saudite do ta vizitoj të mërkurën.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Kohë më parë presidenti ukrainas, Zelenski, ka deklaruar se 45.100 ushtarë ukrainas ishin vrarë dhe rreth 390.000 ishin plagosur. Ekspertët ushtarakë në Ukrainë dhe në Perëndim besojnë se numri mund të jetë shumë më i lartë. Zelenski tha gjithashtu se 19.500 fëmijë ukrainas janë dëbuar në Rusi. Moska nuk ka publikuar humbje në fushën e betejës, por Inteligjenca Mbrojtëse e Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi në dhjetor se mesatarisht 1.523 ushtarë rusë vriteshin dhe plagoseshin çdo ditë.
FLUTURA LATIFI
