Rajon
Përplasjet rreth SPAK-ut, Rama: Reformën në drejtësi e kam bërë unë
18.02.2025 14:32
Edhe pse kritik ndaj SPAK-ut ditët e fundit Rama thotë se garanci për ekzistencën e kësaj strukture është ai dhe partia e tij.

Edhe pse kritik ndaj SPAK-ut ditët e fundit, me mjaft rezerva për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se garanci për ekzistencën e kësaj strukture është ai dhe partia e tij.
“E vetmja garanci për mbijetesën dhe shkuarjen përpara SPAK-ut në kushtet e kësaj lufte të gjithanshme që i bëhet nga këneta politike dhe mediatike me në krye bufin, bufin plak të kënetës është Partia Socialiste e Shqipërisë dhe unë në krye të saj. Kështu që, rrotulloheni nga të doni, reformën në drejtësi e kam bërë unë me PS-në dhe e garantojmë unë me PS-në, nuk e garanton askush tjetër.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Berisha paralajmëron shkrirjen e SPAK-ut
Por, Sali Berisha nuk tërhiqet nga paralajmërimi për të shkrirë SPAK-un nëse vjen në pushtet.
“Një prokurori që arreston 3 liderët politikë të të tre partive kryesore opozitare, një prokurori që rrëmben mandate opozitës, të dhëna nga zgjedhësit, një prokurori që amniston krimin elektoral, një prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera. vërejtjet e mia për Skrapin e partisë kanë të bëjnë me një prokurori që nuk bën politikë, që nuk shndërrohet në satër për rotacionin, që nuk bën drejtësi të dirigjuar, që nuk shet dosje dhe nuk fle mbi krimin.”, - theksoi Sali Berisha.
Por, për kryeministrin Edi Rama, Berisha nuk ka shans ta bëjë një gjë të tillë, sepse nuk do t’i fitojë votat e shqiptarëve më 11 maj.
LULJETA NDOKA
