Ekonomi
Çmimet e larta në treg, LSDM: Të hiqet TVSh-ja për produktet bazë
18.02.2025 15:02
Masat e Qeverisë, në vend që të ulin çmimet e produkteve dhe ushqimeve, kanë pësuar një debakli total, tha deputetja Jovanka Trençeska...

Jeta në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë. Qytetarët nuk kanë mundësi të plotësojnë nevojat elementare. Masat e ashtuquajtura “shporta konsumatore” të Qeverisë, në vend që të ulin çmimet e produkteve dhe ushqimeve, kanë pësuar një debakli total, tha deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençeska. Sipas saj, LSDM propozon zgjidhje ligjore që do të sjellë ushqim më të lirë për qytetarët dhe i bën thirrje Qeverisë dhe deputetëve të opozitës ta miratojnë të njëjtin.
“Me heqjen e TVSh-së për ushqimet, mbi 250 kategori të produkteve bazë do të lirohen me 5%, çka do të sjellë lehtësim të konsiderueshëm për qytetarët. Kjo sjell një kursim të drejtpërdrejtë prej 2.000 denarësh në muaj dhe 24.000 denarësh në vit. Për më tepër, heqja e TVSh-së për ushqimet nuk do t'i rëndojë kompanitë dhe as nuk do t'i lejojë shitësit ta anashkalojnë atë. Pra, LSDM-ja ofron zgjidhje ligjore me efekt real për ulje reale të çmimeve me pakicë të produkteve ushqimore, me çka do të ulet edhe vlera e shportës së konsumatorit. Prandaj, këto ligje duhet të miratohen menjëherë. Çdo vonesë do të thotë një goditje e re për buxhetet familjare.”, - deklaroi Jovanka Trençeska nga LSDM.
VMRO-DPMNE: Masat e LSDM-së nuk janë serioze
Sipas VMRO-DPMNE-së, TVSh-ja e produkteve ushqimore është rritur në kohën kur LSDM-ja ishte në pushtet. Sipas tyre, masat e propozuara nga LSDM-ja janë joserioze dhe nuk sjellin asnjë rezultat.
“TVSh-ja e ushqimit u rrit për një numër të madh produktesh nga 5% në 10% kur ishte në Qeveri LSDM-ja. Dallimi është se atëherë kishim inflacion dyshifror dhe të ardhura më të favorshme në buxhet nga rritja e TVSh-së, gjë që tani nuk ndodh. Kjo masë mund të shqyrtohet seriozisht nëse do të kishim hapësirë në buxhet prej rreth 70 milionë eurosh, të cilat tani duhet t’i gjejmë për të kthyer fondet nga tatimi i solidaritetit, që u shpall jokushtetues. Unë do t’i ftoja të gjithë të propozojnë masa serioze, sepse tani nevojitet seriozitet dhe jo konflikte politike që nuk do të sjellin asnjë rezultat.”, - theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Oda Ekonomike e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë i kanë dorëzuar Ministrisë së Ekonomisë propozimet e tyre për masa efektive për ulje të çmimeve të disa grupeve të produkteve.
FARIJE DAUTI BAKIJU
